Mustafa: Deri në fund të javës të arrihet marrëveshja, ose të konstatohet që s’ka kushte për marrëveshje

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, pas takimit të kryesisë së partisë, ka thënë se deri në fund të javës duhet të arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje me VV-në, ose të konstatohet se s’ka kushte për t’u arritur.

“Të përkushtuar që të punojmë për një marrëveshje e cila respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar. Marrëveshja duhet të vë në pah një qeveri të balancuar dhe me përgjegjësi të balancuara mes dy palëve në harmoni me atë që qytetarët na kanë dhënë besimin e tyre, neve me 28 dhe VV-së me 29 deputetë. Kemi dhënë një propozim që mendojmë se është i balancuar dhe VV-ja ta duhet ta trajtojë me vëmendje të veçantë. Të ulemi dhe të bisedojmë dhe ato të kenë një përfundim sa më të shpejtë, deri në fund të kësaj jave. Ta bëjmë marrëveshjen ose të konstatojmë se nuk ka kushte të bëhet. Marrëveshja që është në dobi të qytetarëve dhe vlerëson peshën politike”, ka thënë kreu i LDK-së pas takimin me kryesinë e partisë, raporton Koha.net.

Në lidhje me takimet me kreun e VV-së, Albin Kurtin, Mustafa tha se “nuk kemi qenë jashtë komunikimit porse qëndrimi jonë është që marrëveshjen ta përfundojnë ose që kontaktet tona të japin rezultatin që do të jetë i dukshëm”.