Mustafa: Besoj se Kosova ka laborator për t’i bërë analizat toksikologjike të zarfeve

Kosova ka laborator në të cilët mund të bëhen analizat toksikologjike. Kështu po deklaron ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa. Ai në një prononcim për Gazetën Express ka sqaruar se ministria të cilën ai e udhëheq është duke e monitoruar situatën rreth zarfeve me votat serbe të cilat kanë ardhur në Kosovë e që si pasojë e tyre dyshohet se janë helmuar 26 zyrtarë të KQZ-së.

Mirëpo, hetuesia kosovare gjatë ditës së djeshme i ka marrë mostrat e analizave në objektin e Ministrisë së Infrastrukturës, vend ky në të cilin kanë qëndruar për disa ditë zarfet me vota serbe. Këto mostra do të dërgohen në një laborator e tek pas analizave do të dihet se çka ka pas në to dhe përse zyrtarët kosovarë janë bërë me alergji pas kontaktit me këto zarfe.

Gazeta Express, sot gjatë ditës ka biseduar me zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Nga ky institucion i kanë thënë gazetës se janë duke e mbikëqyrur situatën.

Ministri në largim, Ekrem Mustafa konfirmoi se po i presin rezultatet e analizave dhe se ajnë në kontakt me të gjitha mekanizmat e tjerë shtetëror rreth kësaj çështjeje.

Pyetur se a ka ndonjë mundësi që analizat toksikologjike të dërgohen jashtë vendit për ekzaminim, ai deklaroi se Kosova ka laboratorë toksikologjik të cilët janë të aftë që t’i kryejnë këto analiza.

“Ne jemi duke e mbikëqyrur procesin. Në Kosovë ka laboratorë toksikologjike dhe besojë që mund të kryhen edhe këtu”, tha Mustafa.

E ndërkohë, lënda për këtë çështje tashmë i ka kaluar Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Zyrtarët e kësaj të fundit nuk kanë dhënë shumë informata rreth hetimeve që janë duke i bërë.

“Po rasti tashmë është tek ne. Ne për këtë çështje jemi duke i vazhduar hetimet”, thotë shkurt ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit në Themeloren e Prishtinës, Kujtim Munishi.

Megjithëkëtë, njëmbëdhjetë nga 26 zyrtarët e KQZ-së të helmuar dje gjatë verifikimit të votave nga Serbia, po qëndrojnë të shtrirë edhe sot në Klinikën Infektive, teksa gjendja e tyre shëndetësore është stabile.

Kështu është shprehur ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Klinikës Infektive, dr. Lindita Ajazaj-Berisha në një konferencë për media, derisa tregoi të gjitha problemet e tyre, që kryesisht ishin me frymëmarrje, mundim, të vjella dhe skuqje të lëkurës.

“Në Klinikën Infektive për momentin janë të hospitalizuar 11 pacientë. Prej tyre nëntë femra, dhe dy meshkuj. Gjendja shëndetësore e pacientëve pas ekzaminimeve që janë bërë sot është stabile. Të gjithë pacientët e kanë kujdesin e duhur profesional shëndetësor prej ekipit të klinikes. Për momentin jemi duke i pritur rezultatet e mostrave që janë marrë”, tha drejtoresha Ajazaj-Berisha.

Ajazaj-Berisha nuk dha ndonjë diagnozë të saktë sa i përket këtyre pacientëve, pasi sipas saj duhet të priten rezultatet laboratorike. Teksa tha se gjendja e dy grave shtatzëna dhe fëmijëve të tyre është e mirë.

Ndërsa Presidenti I vendit Hashim Thaçi sot ka kërkuar që rasti të hetohet deri në fund. Për këtë, ai sot ka pritur në takim Kryetaren e KQZ-së, Valdete Dakën, Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezin dhe Drejtorin e AKI-së, Shpend Maxhunin. Duke i përcjellë fjalët e tyre Thaçi ka thënë se ekzaminimet rreth këtij rasti do të bëhen së bashku me ekspertë ndërkombëtarë.

loading…