Në konferencën për media të mbajtur pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, Isa Mustafa ka folur rreth qeverisjes së PSD-së në Prishtinë dhe qasjes së tyre në Kuvend.
Mustafa ka akuzuar PSD-në se objektivisht është në pozitë pasi që sipas tij, ajo është bërë bashkëpunëtore e qeverisë dhe presidentit.
“PSD-ja ka bërë një propozim të Ligjit skandaloz për Dialogun, të cilin ne e kemi dërguar në Kushtetuese”, ka thënë ndër të tjerash Mustafa, përcjell Ballkani.info.
I pari i LDK-së, nuk ka hezituar të akuzojë drejtëpërdrejtë PSD-në edhe për punësime në Komunën e Prishtinës, duke thënë se së fundmi është përfolur për punësimin e disa personave të partisë së AAK-së.
“PSD-ja, Komunën e Prishtinës e ka shëndrruar në xhepa të partive politike, pasi që së fundmi është thënë se janë punësuar diku 60 punëtorë të AAK-së në kompaninë ‘Pastrimi’, gjë që tregon se AAK-ja nuk po e pyesin më Shpend Ahmetin dhe i kanë marrë një pjesë të organizatave komunale, andaj do të kisha dëshirë që PSD-ja të jetë më korrekte”, ka thënë Mustafa.
Përgjatë konferencës, Mustafa ka thënë se po të kishin numrat, do të shkonin në zgjedhje të parakohshme. /Ballkani.info







