Lideri i LDK

Mustafa akuza të rënda Haradinajt: Po e shndërron shtetin në lavatriqe të parave të pista, drogës e prostitucionit

Lideri i LDK’së, Isa Mustafa ka lëshuar akuzat më të rënda në drejtim të Ramush Haradinajt e Qeverisë, duke thënë se përmes lojërave të fatit po e shndërrojnë shtetin në lavatriqe të parave të pista e prostitucionit. Ka thënë se viti 2019 do të jetë koha kur do të angazhohen për të mbrojtur qytetarët nga Qeveria.

Postimi i plotë:

Qytetarë të nderuar

Ky vit po përfundon me një qeverisje që dështoi në fushat themelore por me një premtim të madh për kumarin dhe kumarxhinjtë.

Qeveria me koncept dokumentin për lojëra e fatit do ta bëjë Kosovën lavatriqe të parave të pista nga droga e prostitucioni; nga fajdeja, tenderët dhe ekonomia informale. Vitin që vjen pritet se në shtëpi do të vijnë burrat me xhepa bosh, pa para me të cilat e provojnë fatin e tyre dhe fëmijët e përlotur të cilët, në vend të ushqimit, afër shkollave të tyre luajnë lojëra të fatit.

Ky është premtim i madh i Qeverisë së madhe me ministra dhe zëvendësministra me aktakuza!

Në vitin 2019 duhet të jemi gati të mbrojmë familjet tona, fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë nga vendimet dhe veprimet e papërgjegjshme të kësaj qeverie.

Por, ne do të ngadhënjejmë! IM