Deputetja e PDK-së

Musliu-Shoshi kritikon qeverinë për shkarkimin e 12 ambasadorëve, tregon që ata politik do të mbesin të pa punë

Ditën e djeshme, presidentja Vjosa Osmani ka shkarkuar 12 ambasadorë të Kosovës nëpër botë me arsyetimin se janë të emëruar politikisht.

Ky vendim i Osmanit është kritikuar nga opozita.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, njëherësh anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme, ka kritikuar Qeverinë Kurti për shkarkimin e ambasadorëve, derisa është shprehur e befasuar më së shumti nga qasja e presidentes Osmani.

E ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin, ajo ka thënë se emërimi i ambasadorëve të rinj merr shumë kohë, andaj është shprehur e befasuar me vendimin që ka marrë Osmani.

Përndryshe, ajo ka folur edhe për procedurat që duhet të ndjekin tani ambasadorët.

Ajo është shprehur se përveç ambasadorëve të karrierës që mund të kthehen në punë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ata politikë do të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Në bazë të Ligjit në momentin që marrin vendimin ata duhet ta respektojnë dhe të kthehen. Vetëm ambasadorët e karrierës kthehen në vendet e punës, ata politikë kthehen në shtëpitë e veta. Pra vetëm ata të karrierës kthehen si staf në Ministrinë e Punëve të Jashtme”, ka thënë ajo.

Ndërsa, e pytur se çfarë do të bëhet me ata ambasadorë, fëmijët e të cilëve ndjekin mësimet në shtetet tjera, ajo ka thënë se nëse në vendim thuhet se ata duhet të kthehen në shtëpi, ata duhet ta respektojnë këtë.

Ndërsa, ajo ka folur edhe për pagat e ambasadorëve, duke thënë se ndonëse  punojnë në shtetë të ndryshme, ata paguhen njëjtë.

“Nëse në vendim shkruan se duhet të kthehen, ata duhet të kthehen. Ndërsa, duhet ta kemi parasysh se nivelizimi i pagave për diplomatët nuk është në nivel me vendin që përfaqëson, të gjithë e kanë pagën e njëjtë”, ka shtuar ajo.