Musliu- Shoshi: I përjetshëm do të qëndrojë kujtimi dhe nderimi për të rënët në Likoshan e Qirez

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi ka vizituar sot Likoshanin e Qirezin për të kujtuar 25 vjetorin e masakrës dhe betejës së UÇK-së me forcat serbe. Ajo ka thënë se në këto fshatra të Drenicës, policia serbe, vrau gra, pleq, burra dhe të rinj të pafajshëm, të paarmatosur e të pambrojtur në shtëpitë e tyre.

Postimi i plotë:

Sot bëhen 25 vite nga masakra dhe beteja në dy fshatrat e Drenicës, Likoshan dhe Qirez. Policia serbe, vrau gra, pleq, burra dhe të rinj të pafajshëm, të paarmatosur e të pambrojtur në shtëpitë e tyre.
Këto vrasje do të bënin jehonë në gjithë Kosovën dhe në çdo vend ku kishte shqiptarë, se fati i ynë do të vulosej vetëm nga bashkimi i të gjithëve kundër pushtetit okupues serb në Kosovë. Populli shqiptar sakrifikues, lufta dhe rezistenca e UÇK-së dhe përkrahja e fuqishme ndërkombëtare, do të kulmonin me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Vlera sublime për të cilat u flijuan bashkëqytetarët tanë, të cilët sot i nderuam me homazhe.
I përjetshëm do të qëndrojë kujtimi dhe nderimi për të rënët.
Lavdi jetës dhe veprës së tyre!