Musliu: Qeveria tërë vëmendjen te dialogu, Kosova po përjeton eksod të madh në heshtje

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka përqendruar krejt vëmendjen te dialogu dhe ka harruar që politika ka edhe sektorë të tjerë.

Sipas Musliut, Kosova po përjeton eksod të madh në heshtje dhe se Qeveria duhet të ndërmarrë hapa urgjent për ta parandaluar zbrazjen e vendit.

“Klasa politike qe dy vjet ka ambicie të sëmurë. Shumica dërrmuese fokusohet në tema të mëdha politike duke konsumuar kohën ekzekutive e legjislative. Janë tema relevante, por a duhet që e gjithë vëmendja të fokusohet aty? Politika ka shumë sektorë. Përderisa diskursi ynë është i përqendruar në veri dhe dialog, temat si ekonomia e shëndetësia trajtohen si tema periferike. Me një politikë kaotike, qytetarët tanë kanë marrë botën në sy. Kosova po e përjeton eksodin më të madh në heshtje”.

“Emigrim ka pasur dhe do të ketë gjithmonë, por ajo që po na ndodh nuk është emigrim normal, por një zbrazje që është revoltë e politikëbërjes dhe arrogancës së pushtetit. Arsyeja kryesore është humbja e shpresës nga kjo klasë politike. Kosova ndodhet në një katastrofë kombëtare. Qeveria duhet të marrë hapa urgjentë për ta parandaluar zbrazjen e vendit. Prandaj, është momenti i fundit të reflektojmë që të punojmë për mirëqenien e qytetarëve sepse Kosova po boshatiset”, ka thënë ajo në seancë të Kuvendit në deklarimet jashtë rendit të ditës të enjten.