Musliu: Magjistralja Podujevë-Prishtinë është bërë rrugë e vdekjes

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar pas humbjes së jetës të dy mërgimtarëve në aksident trafiku në magjistralen Podujevë-Prishtinë.

Në Kuvendin e Kosovës, ajo tha se kjo magjistrale është bërë rrugë e vdekjes, prandaj ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu duhet të dalë në teren dhe të sinjalizojë urgjentisht këtë rrugë

“Apeloj ministrin Liburn Aliu dhe të gjithë stafin që të dalin në teren dhe të sinjalizojë urgjentisht rrugën Podujevë-Prishtinë, e cila është bërë rrugë e vdekjes. Sot kur po flasim ne i kemi humbur dy mërgimtarë tanë në atë rrugë, vetëm në mungesë të sinjalizimit të rrugëve. Është e dhimbshme, është tragjike që qytetarët tanë të kalojnë mijëra kilometra për t’i kaluar pushimet dhe të humbin jetën në aksin rrugor Podujevë-Prishtinë, pak kilometra para se të mbërrijnë në familjet e tyre”, theksoi ajo.

Ngushëllime familjarëve të dy viktimave iu shprehu edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“I bashkohem edhe ne ngushëllimeve për familjen që i humbi më të dashurit në këtë aksident të trafikut. Ishte tronditëse dhe tragjike”, tha ajo.