Osman Musliu

Musliu: Ka pasur xhami në Drenicë që s’kanë qenë nën kontrollin e BIK-ut, ishin të ndikuara nga Serbia

Imami nga Drenasi, Mulla Osman Musliu, ka deklaruar se Serbia ka pasur ndikim të thellë në strukturat fetare, duke përfshirë edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), sistemin arsimor dhe institucione të tjera të vendit.

“Ne dinim që ka pasur ndikim serb edhe brenda UÇK-së, edhe brenda arsimit, pra në të gjitha strukturat Serbia i ka duart e veta pasi ka qenë një shtet që mbi 100 vite na ka sunduar, ka manipuluar dhe ka bashkëpunëtorë,” ka deklaruar Musliu.

Ai shtoi se shteti i Kosovës ka filluar vonë të merret me këto çështje dhe se disa xhami, si ato në Drenicë, Prishtinë dhe Prizren, kanë qenë jashtë kontrollit të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Musliu ka theksuar se një grup i vogël hoxhallarësh janë kundërshtarë të kolegëve të tyre të cilët, sipas tij, kanë qenë të përfshirë në manipulime dhe bashkëpunime të dyshimta.

“Unë një prej tyre hoxhallarëve në fillim kam treguar që vehabizmi nuk është prodhim i yni, është prodhimi huaj, a është i Beogradit apo i Moskës nuk e di, por e kam ditur që prodhim shqiptar nuk është e as islam,” ka shtuar ai.