Musliu e PDK’së përplaset me Bulliqin e VV’së: Sa ishe drejtor i Arsimit nota mesatare ishte dysh

Deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu dhe deputeti i VV’së, Shpejtim Bulliqi kanë pasur një replikë mes vete.

Ishte deputeti Bulliqi i cili kritikoi qeverisjen e PDK’së dikur sa ishte në pushtet dhe tha se është fajtore së bashku me LDK’në për gjendjen e arsimit në Kosovë.

“Po ja kujtojë shoqes Gane që arsimin në Kosovë e kanë shkatërru dy subjekte politike, LDK duke hapur kolegje private dihet se për çfarë arsyeje dhe PDK duke hapur universitete publike për t’i rehatuar njerëzit e vet pasi ta përfundojnë politikën, prandaj këto gjëra i di mirë edhe Ganja por po mundohet me i qit hi syve popullit”, tha Bulliqi.

Por, menjëherë ka ardhur reagimi nga deputetja Musliu, ku ka thënë se nuk e dinë sa ia vlen të replikohet me deputetin Bulliqi, i cili sa ishte si drejtor i Arsimit nota mesatare në Podujevë ka qenë dysh.

“Të drejtën me thënë nuk e di se sa ja vlen me repliku me një ish-drejtor të Arsimit kur në kohën kur ai ka qenë drejtor, nota mesatare në atë komunë ka qenë dysh (mjaftueshëm), kështu që e përfundoj me kaq”, tha Musliu.

Kujtojmë se dikur deputeti Bulliqi ishte drejtor i Arsimit në Komunën e Podujevës, tanimë kandidat për kryetar i Podujevës.