Kievi

Musk zemëron Kievin – miliarderi akuzohet se kontribuoi në vrasjen e fëmijëve ukrainasve

Lajmi se Elon Musk kishte vendosur të pengojë një sulm të madh të ukrainasve ndaj flotës detare të Rusisë, ka shkaktuar reagime dhe zemërim të madh në Ukrainë.

Ndoshta kritika më e ashpër ndaj bashkëthemeluesit të Teslas brenda ditës ka ardhur nga vetë Kievi, ku këshilltari i lartë i presidentit ukrainas, Volodomyr Zelensky ka akuzuar miliarderin se në këtë formë ka ndihmuar rusët të vrasin fëmijët.

“Ndonjëherë një gabim është shumë më tepër sesa thjesht një gabim”, shkroi Mykhailo Podolyak në platformën X.

“Duke mos lejuar dronët ukrainas të shkatërrojnë një pjesë të flotës ushtarake ruse përmes ndërhyrjes Starlink, Elon Musk lejoi që kjo flotë të lëshonte raketa në qytetet ukrainase. Si pasojë po vriten civilë, fëmijë, ky është çmimi i një kokteji injorance dhe egoje të madhe”, shkroi ai në platformën X.

“Megjithatë, pyetja ende mbetet: pse disa njerëz duan kaq shumë të mbrojnë kriminelët e luftës dhe dëshirën e tyre për të kryer vrasje? Dhe a e kuptojnë tani se po bëjnë të keqen dhe po inkurajojnë të keqen?”, pohoi këshilltari.

Zhvillimet e fundit pa dyshim që nuk ndihmojnë shumë në zbutjen e zemërimit ndaj Muskut. Komisioni Evropian zbuloi se platforma X pas kalimit në pronësi të amerikanit – veçanërisht përmes “shkatërrimit të standardeve të sigurisë” – kishte luajtur një rol të rëndësishëm në përhapjen e propagandës ruse mbi luftën në Ukrainë.