Rezoluta e PSD

Mushkolaj: Rezoluta për dialogun pa ligj s’është serioze dhe do ta ketë fatin si të tjerat

Më 15 dhjetor, në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seancë e jashtëzakonshme për diskutim rreth rezolutës të propozuar nga grupi parlamentar i PSD-së për dialogun me Serbinë.

Kjo rezolutë nuk ishte mbështetur nga dy grupet parlamentare të opozitës, LDK dhe LVV, të cilat nuk ishin prezente në sallën e Kuvendit, shkruan Ballkani.info.

Pas hedhjes në votim, rezoluta për dialogun me Serbinë u miratua me 59 vota për, ndërsa 2 deputetë kishin abstenuar.

Rezoluta e propozuar nga PSD, përshkruhet në katër pika të cilat parashohin marrjen e përgjegjësisë për mbarëvajtjen e procesit të dialogut nga Kuvendi i Kosovës.

Sipas pikës së tretë të rezolutës, me 2/3 e votave mandatohen edhe bartësit e dialogut e që në këtë rast ishin caktuar Fatmir Limaj nga NISMA dhe Shpend Ahmeti nga PSD.

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, e vlerëson si hap të rëndësishëm miratimin e rezolutës nga Kuvendi i Kosovës.

Në një prononcim për Ballkani.info, Mushkolaj ka thënë se nuk e di arsyen pse nuk është hedhur në votim edhe ligji për rezolutën i cili ishte paraparë.

“Kjo rezolutë është hap i rëndësishëm në kuptimin e zgjidhjes të bllokadës sa i përket dialogut, por kjo rezolutë pa një ligj, për mua nuk mund të ketë rëndësi. Ligji që ka qenë i propozuar, është dashur të dërgohet në Kuvend që kjo nismë të mirret me seriozitet, përndryshe nëse mbetet vetëm si rezolutë mendoj se do ta ketë fatin që e kanë pasur edhe shumë rezoluta të tjera që janë miratuar më herët”, ka thënë Mushkolaj.

Sa i përket mungesës së dy grupeve opozitare, Lidhjes Demokratike dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Mushkolaj ka thënë se këto dy parti do të duhej ta ofronin kontributin e tyre në këtë çështje.

“Mungesa e të dy partive opozitare në Kuvend dhe mos mbështetja e tyre ndaj kësaj rezolute, mendoj se është çështje e tyre. Sa i përket LDK-së, duke pasur parasysh kontributin që ka dhënë në çështjet e mëdha mendoj se do të duhej të merrte pjesë. Lëvizja Vetëvendosje e ka treguar qëndrimin e saj dhe nuk mendoj se do ta ndryshojë”, ka shtuar Mushkolaj.

Çështja e dialogut me Serbinë, sipas Mushkolaj duhet të shihet si çështje e rëndësishme, andaj edhe partitë në Kuvend do të duhej të jepnin kontributin e tyre në dialog.

“Tema e dialogut me Serbinë, mendoj se është temë shumë e rëndësishme dhe mendoj se asnjë parti politike nuk duhet ta ketë luksin që ta abstenojë këtë çështje, përkundrazi duhet të jenë pjesë e saj e të mundohen të korrigjojnë diçka” ka përfunduar Mushkolaj.

Kujtojmë se përplasjet mes partive mbështetëse të rezolutës dhe atyre opozitare, kanë vazhduar edhe ditën e sotme ku Liburn Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje, përmes një statusi në Facebook ka vlerësuar se rezoluta e votuar për dialogun, sjell lehtësira për kompromiset ndaj Serbisë dhe atyre që janë të gatshëm ti bëjnë ato.

Nuk ka munguar as reagimi i Frashër Krasniqit nga PSD i cili ka thënë se deklaratat e Aliut po e shpërfaqin më së miri frikën e VV-së. /Ballkani.info/