Mushkolaj: Publikimi i fotografive të viktimës nga gazeta “Kosova Sot” është joprofesional dhe joetik

Disa media kosovare, në mënyrë joprofesionale dhe skajshmërisht të papërgjegjshme, sot kanë publikuar fotografi të vajzës e cila dyshohet se është keqpërdorur seksualisht nga profesori i saj dhe më pas edhe nga zyrtari policor në Drenas, duke e bërë publik identitetin e saj.

Imer Mushkolaj, drejtori i Këshillit të Mediave të Shkruara (KMSHK) është shprehur kritik ndaj këtyre publikimeve.

Postimi i plotë:

Publikimi i fotografive të viktimës nga Drenasi nga gazeta “Kosova Sot” është joprofesional dhe joetik, siç është edhe publikimi i detajeve të tjera, në disa media të tjera, që çojnë në zbulimin e identitetit të viktimës.

KMSHK dhe KPM dje kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar në raportimin e rastit dhe respektimin e kodit të etikës.

Por, duket se kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për dikë që, në emër të senzacionalizmit dhe për pak më shumë lexueshmëri, të zgjedh këtë mënyrë skajshmërisht të papërgjegjshme raportimi.