Mushkolaj: Prokuroria i përmbushi dy kushtet tona, ka mbetur edhe një

Organizata e Veteranëve të Luftës – Dega Dukagjin, ditë më parë në mbledhjen e mbajtur kishin njoftuar publikun për veprimet e mëtutjeshme të tyre. Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, publiku ishte informuar se me datën 8 të muajit tetor, kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, do t’i dërgohet një kërkesë nga ana e OVL të UÇK-së, për të kërkuar llogaridhënie se deri ku kanë mbërritur hetimet me rastin e publikimit të listave të veteranëve.

Në një prononcim për Ballkani.Info, kryetari i OVL së UÇK-së, dega Dukagjin, Avdyl Mushkolaj, ka thënë se ende nuk kanë marrë përgjigje nga zyra e kryeprokurorit Lumezi.

“Kërkesën e kemi dërguar në zyren e Kryeprokurorit, pergjigje nuk kemi marrë ende, jemi në pritje”, ka thënë Mushkolaj për ballkani.info.

Në lidhje me ultimatumin që OVL e Dukagjinit u kishte dhënë institucioneve të shtetit rreth plotësimit të kërkesave të tyre, Mushkolaj tha se dy kërkesat e para janë përmbushur andaj njëherë nuk ka nevojë për protestë.

“Dy kërkesat apo dy pikat e para veçse janë përmbushur nga institucionet e shtetit, tash nuk kemi nevojë për protesta, po presim prokuroria ta përfundojë punën e saj”,  shtoi Mushkolaj për ballkani.info.

Kujtojmë se nga protesta e OVL të Dukagjinit e mbajtur më datën 26 shtator ishte kërkuar nga institucionet të fillojë hetimi i rastit të publikimit të listave të veteranëve “mashtrues”, proces ky që ishte konfirmuar nga Prokuroria Speciale se i është bërë kërkesë Gjykatës Themelore për nisjen e hetimeve rreth këtij rasti. /ballkani.info/