Mushkolaj: Problemi i rrugës Deçan-Plavë ka ekzistuar edhe te Thaçi e Haradinaj, por Hoti ndërpreu punimet me shumë lehtësi

Analisti Imer Mushkolaj ka kritikuar kryeministrin Hoti për mënyrën si ndërpreu punimet e rrugës Deçan-Plavë.

Mushkolaj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se bllokimi i ndërtimit të rrugës Deçan-Plavë nga serbët lidhet kryekëput me dialogun.

Mushkolaj thotë se problemi me këtë rrugë ka ekzistuar qysh moti.

“Edhe ministri Pal Lekaj e ka ditur në vitin 2018 për problemin pasi ai inauguroi punimet nga kilometri i pestë e jo nga kilometër parë që është afër manastirit”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Mushkolaj thotë se manastiri ndër vite është ruajtur nga shqiptarët dhe sipas tij nuk ka logjikë që tash shqiptarët ta dëmtojnë atë.

“Nuk duhet t’i lihen fajet vetëm Avdullah Hotit pasi problemi ekziston edhe kur Hashim Thaçi ishte kryeministër. Problemi qëndron lehtësia me të cilën Avdullah Hoti ndaloi punimet. Ai është kryeministër dhe duhet të zgjidh probleme”.

Analisti thotë se Sava Janjic nuk duhet të ketë frikë pasi rruga mbetet lokale dhe ajo nuk do të bëhet autostradë.

“Të gjithë ata që kalojnë nga ajo rrugë e shohin që ajo ka vetëm dy korsi e jo siç mendon Janjiq se po bëhet autostradë”, tha ndër të tjera Imer Mushkolaj.