Analisti i njohur

Mushkolaj pas pezullimit të ndërtimit të Rrugës A: Është dashtë mos me ia dhënë tenderin të dënuarit për mashtrim

Gjykata Komerciale e Prishtinës ka vendosur që të pezullohet ndërtimi i Rrugës A, pas ankesës që e ka bërë kompania “Pro & CO Group” kundër operatorit ekonomik “Sallahu” i cili e kishte fituar tenderin milionësh.

Nëntë ditë më parë, saktësisht më 11 tetor, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dha një premtim madhor që lidhet me Rrugën A.

Ai tha se ky projekt, që konsiderohet më i madh për nga kapitali i komunës së Prishtinës do të pëfundojë para verës së 2024.

“E njohur si Rruga A, me 6 korsi, me kolektorë e infrastrukturë moderne përcjellëse, ajo nisi të jetësohet në maj të këtij viti. Me tempon aktuale të punëve – në të dy skajet e rrugës – ajo do të përfundojë qysh para verës së ardhshme”, u zotua Abdixhiku pas vizitës që bashkë me të parin e Prishtinës, Përparim Ramën e kishin pasur te rruga që zyrtarisht mban emrin Jim Xhema.

Por, duket se nuk do të shkojë gjithçka sipas planit, pasi Gjykata Komerciale e Kosovës ka vendosur për pezullimin e punimeve në Rrugën A, deri në një vendim tjetër.

Ballkani.info e ka siguruar ekskluzivisht vendimin e Gjykatës Komerciale.

Vendimi i nxjerrë më 17 tetor thotë se “Gjykata po ashtu vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimit dhe pezullimi i aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e parë”, me numër të prokurimit 616-22-7096-5-1-2, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedural është më se i dhuru që të ruhet interesi publik”, saktëson vendimi i Komerciales të cilin e ka siguruara Ballkani.info.

Ky vendim ka ardhur pas ankesës që në këtë gjykatë e ka bërë ndërmarrja “Pro & CO Group” SHPK.

“Kjo pasi Paneli Shqyrtues nuk është marrë fare me pretendimin kryesor të ngritur nga ankuesi që ka të bëjë me shkelje të nenit 65 të LPP-së nga AK, duke e shpërblyer me kontratë Operatorin Ekonomik Sallahu SHPK Drejtori i të cilës është i dënuar për veprën penale Falsifikim i Dokumentit Zyrtar”, thuhet në vendimin e Gjykatës Komerciale.

“Gjykata vlerëson se shtyrja e ekzekutimit të vendimit nuk do t’i sillte dëm të paditurit apo ndonjë personi të interesuar, sepse përkundër shtyrjes se realizimit të projektit, shtyrja e ekzekutimit të vendimit deri në vlerësimin e ligjshmërisë së procedurës së prokurimit do të jetë edhe në dobi të paditurit – kundër propozuesit, sepse do të evitohej çfarëdo dyshimi për keqpërdorim të fondeve publike nga AK, që potencialisht do të ndikonte negativisht në besimin e publikut ndaj AK”, thotë vendimi i Gjykatës.

Punimet do të ndërpriten deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara në procesin e tenderit.

Kontratën e Rrugës A, që peshon 8.5 milionë euro e kishte fituar kompania nga Kaçaniku, “Sallahu SH.P.K“.

Pronari i kësaj kompanie zyrtarisht është Lulzim Sallahu, por mbrapa tij qëndron vëllau u tij, Naimi, që është i dënuar për mashtrim me prokurimin publik.

Për këtë ka reaguar edhe analisti i njohur politik, Imer Mushkolaj. Ai ka thënë se “vajtimi” i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama pas pezullimit të projektit, nuk kryen punë.

“Vajtimi nuk kryen punë. Për mos me pësu qytetarët, është dashtë mos me ia dhënë tenderin të dënuarit për mashtrim në prokurim”, ka shkruar Mushkolaj. /Ballkani.info/