LAJMI I FUNDIT

EKSKLUZIVE: Gjykata Komerciale pezullon ndërtimin e Rrugës A në Prishtinë (DOKUMENT)

Gjykata Komerciale e Prishtinës ka vendosur që të pezullohet ndërtimi i Rrugës A, pas ankesës që e ka bërë kompania “Pro & CO Group” kundër operatorit ekonomik “Sallahu” i cili e kishte fituar tenderin milionësh.

Nëntë ditë më parë, saktësisht më 11 tetor, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dha një premtim madhor që lidhet me Rrugën A.

Ai tha se ky projekt, që konsiderohet më i madh për nga kapitali i komunës së Prishtinës do të pëfundojë para verës së 2024.

“E njohur si Rruga A, me 6 korsi, me kolektorë e infrastrukturë moderne përcjellëse, ajo nisi të jetësohet në maj të këtij viti. Me tempon aktuale të punëve – në të dy skajet e rrugës – ajo do të përfundojë qysh para verës së ardhshme”, u zotua Abdixhiku pas vizitës që bashkë me të parin e Prishtinës, Përparim Ramën e kishin pasur te rruga që zyrtarisht mban emrin Jim Xhema.

Por, duket se nuk do të shkojë gjithçka sipas planit, pasi Gjykata Komerciale e Kosovës ka vendosur për pezullimin e punimeve në Rrugën A, deri në një vendim tjetër.

Ballkani.info e ka siguruar ekskluzivisht vendimin e Gjykatës Komerciale.

Vendimi i nxjerrë më 17 tetor thotë se “Gjykata po ashtu vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimit dhe pezullimi i aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e parë”, me numër të prokurimit 616-22-7096-5-1-2, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedural është më se i dhuru që të ruhet interesi publik”, saktëson vendimi i Komerciales të cilin e ka siguruara Ballkani.info.

Ky vendim ka ardhur pas ankesës që në këtë gjykatë e ka bërë ndërrmarrja “Pro & CO Group” SHPK.

“Kjo pasi Paneli Shqyrtues nuk është marrë fare me pretendimin kryesor të ngritur nga ankuesi që ka të bëjë me shkelje të nenit 65 të LPP-së nga AK, duke e shpërblyer me kontratë Operatorin Ekonomik Sallahu SHPK Drejtori i të cilës është i dënuar për veprën penale Falsifikim i Dokumentit Zyrtar”, thuhet në vendimin e Gjykatës Komerciale. 

“Gjyakat vlerëson se shtyrja e eksekutimit të vendimit nuk do t’i sillte dëm të paditurit apo ndonjë personi të interesuar, sepse përkundër shtyrjes se sealizimit të projektit, shtyerja e ekzekutimit të vendimit deri në vlersimin e ligjshmërisë së procedurës së prokurimit do të jetë edhe në dobi të paditurit – kundër propozuesit, sepse do të evitohej çfardo dyshimi për keqpërdorim të fondeve publike nga AK, që potencialisht do të ndikonte negatvisht në besimin e publikut ndaj AK”, thotë vendimi i Gjykatës.

Punimet do të ndërpriten deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara në procesin e tenderit.

Kontratën e Rrugës A, që peshon 8.5 milionë euro e kishte fituar kompania nga Kaçaniku, “Sallahu SH.P.K“.

Pronari i kësaj kompanie zyrtarisht është Lulzim Sallahu, por mbrapa tij qëndron vëllau u tij, Naimi, që është i dënuar për mashtrim me prokurimin publik. /Ballkani.info/

VENDIMI I GJYKATËS KOMERCIALE I SIGURUAR NGA BALLKANI.INFO: