Analisti

Mushkolaj: LDK mos ta na mbajë ligjerata, nëse s’e do transforimin e FSK-së le të votojë kundër

Analisti Imer Mushkolaj ka reaguar pas deklaratave të nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, i cili sonte tha se nuk është mirë që Ushtria e Kosovës të bëhet pa pajtimin e ndërkombëtarëve.

“Çka është ky qëndrim i LDK’së për ushtrinë? Është e thjeshtë kjo punë: nëse është kundër kësaj mënyre të transformimit të FSK’së, atëherë le të votojë kundër. Por, t’mos na mbajë ligjërata moralizuese”, ka shkruar Mushkolaj.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se Kosova nuk duhet ta themelojë ushtrinë pa u koordinuar me miqtë ndërkombëtarë.

“Sekretari gjeneral i NATO-s Jens Stoltenberg e paraqet qëndrimin që ka qenë në mbledhje, që shihet se ka qenë e tensionuar. Sekretari dje edhe në telefonata është munduar ta menaxhojë situatën në mënyrë që Kosova mos të humbë. Gjithçka që është bërë në mënyrë të pakoordinuar ka dështuar. Nuk ka befasi me shtetet si SHBA, Franca por edhe NATO sepse nuk lejojnë befasi”, ka deklaruar Haziri në Klan Kosova.