Ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gjyljeta Mushkolaj, ka thënë se legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës është konstituuar. Ajo ka thënë se konstituimi është kryer me zgjedhjen e kryetarit Dimal Basha, ndërsa ka insistuar se nënkryetarët nuk kanë kompetenca sa i përket legjislaturës, deri kur ato ua delegon kryetari.

“Besoj që legjislatura e re konsiderohet të jetë e konstituuar meqenëse është zgjedhur kryetari i kësaj legjislature… Kushtetuta është relativisht e qartë dhe është e bazuar në parimet më të rëndësishme të një demokracie parlamentare. Nuk po them shtet parlamentar, por demokraci parlamentare për faktin se Kushtetuta e përcakton qartë se cilat janë detyrat e kryetarit të Kuvendit dhe cilat të kryesisë së Kuvendit. Detyrat e kryetarit janë kompetenca kushtetuese dhe politike që e bëjnë udhëheqjen e një institucioni më të rëndësishëm, të vetmit të zgjedhur direkt nga populli, e bëjnë funksional”, ka thënë ajo në “Konfront” të KTV-së.

Sipas Mushkolajt, kryetari e bën funksional Kuvendin për shkak se i ka të gjitha kompetencat për ta udhëhequr legjislaturën.

E kryesia, siç ka thënë ajo, merret vetëm me çështje administrativ të funksionimit të Kuvendit “jo si legjislaturë, por si shtëpi, si institucion”.

Shërben si njëfarë bordi për administratën e Kuvendit. Kryesia e Kuvendit nuk ka ndonjë detyrë tjetër përveçse të kujdeset për mbarëvajtjen e punës së administratës së Kuvendit. S’ka kompetencë rreth funksionimit të Kuvendit si legjislaturë. Kushtetuta thotë qartë se Kryesia e Kuvendit merret me funksione administrative të përcaktuara me rregulloren e punës së Kuvendit”, ka thënë Mushkolaj, që ka shtuar se në Kosovë po është zor të kuptohet pavarësia dhe se më nuk ekziston korniza e UNMIK-ut e se “Kushtetuta e ka ndërruar komplet konceptin e Kryesisë”.