Gazetari Imer Mushkolaj i është drejtuar me tone të ashpra deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, referuar bisedave telefonike të Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe kriminelit famëkeq të kërkuar ndërkombëtarisht, Milan Radojçiq.
“Nëse do të isha deputet i VV-së, do të ndihesha si bërllok kur kisha dëgju që shefja ime e GP-së ka folur me Radojçiqin”, ka thënë Mushkolaj drejtuar Abrashit të VV-së në Debat Plus.
“Pse është dashur të diskutojë me këtë tip, ka mundur të diskutojë me Simiqin, por jo me Radojçiqin. Ky Radojçiqi ka qenë shënjestra kryesore e LVV-së në raport – qoftë kontaktet që i kanë pasur zyrtarët e partive që tash janë në opozitë, qoftë pritjes që i ka bërë në zyrë kryeministri Haradinaj, më cilësinë nënkryetarit të Listës Serbe, unë mendoj se çështja është serioze, jo personalisht për Mimoza Kusari-Lilën, por se ajo flet në cilësinë e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së. Pse është dashur të diskutojë me të ajo, kjo duhet të jetë pyetja kryesore. Kjo është jashtëzakonisht shqetësuese, kjo duhet të trajtohet jo vetëm politikisht, por duhet të trajtohet nga organet e sigurisë,” ka deklaruar Mushkolaj.







