Milani ka konfirmuar se mbrojtësi Mateo Musacchio do të mungojë përafërsisht për 2 muaj pas lëndimit të pësuar në gju gjatë ndeshjes me Real Betisin në Europa League.

Argjentinasi u përplas me bashkëlojtarin e tij Franck Kessie duke ngjallur për një moment frikë te i gjithë stadiumi pasi ish lojtari i Villarrealit e kishte humbur vetëdijen.

Megjithatë nuk është kjo natyra e lëndimit të Musacchios teksa 28 vjeçari ka dëmtuar gjurin gjatë rënies në tokë.

“Musacchio ka pësuar një traumë në gjurin e djathtë ndërsa do i duhet 6-8 javë për t’u riaftësuar”, shkruhet në komunikatën e Milanit.

Musacchio kishte zhvilluar secilën ndeshje këtë sezon në Serie A, gjersa tani iu është bashkuar Mattia Caldaras dhe Lucas Biglias në listën e futbollistëve që do të mungojnë për një kohë të gjatë te “Rosonerët”.

Ndërkohë Giacomo Bonaventura pritet të mungojë në derbin e së dielës me Juventusin në “San Siro”, sidoqoftë lajm i mirë për trajnerin Gennaro Gattuso është rikthimi i Gonzalo Higuainit që do të bëjë të pamundurën për t’u ballafaquar me ish skuadrën e tij.