Muriqi shkëmbehet me Ozan Tufan?

Lazio dhe Fenerbahçe po planifikojnë t’i shkëmbejnë futbollistët e tyre gjatë verës. Me këtë rast, sulmuesi kosovar mund të rikthehet në Turqi pas vetëm një viti të kaluar në kryeqytetin italian

Lazio dhe Fenerbahçe po planifikojnë t’i shkëmbejnë futbollistët e tyre në afatin kalimtar të verës. Vedat Muriqi nuk ka bindur sa duhet në kryeqytetin italian. Prandaj, sulmuesi kosovar mund të rikthehet në klubin e madh turk pas vetëm një viti.

Ndërkohë, në drejtim të kundërt do të shkonte Ozan Tufan, raporton mediumi turk “ajansspor”. Lazio është e gatshme t’i ofrojë 5 milionë euro plus kartonin e Muriqit për Tufanin. Opsioni tjetër është 15 milionë euro plus huazimin për një vit të Muriqit në klubin Verdhekaltër.

Mesfushori turk është njëri prej më të mirëve në kampionatin turk dhe i ka realizuar 6 gola dhe i ka bërë 10 asistime këtë sezon. 26 vjeçari i ka zhvilluar 58 ndeshje dhe i ka realizuar 9 gola edhe në kombëtaren turke. Ai ka kontratë deri në vitin 2023 dhe klauzola e shkëputjes së saj vlerësohet 20 milionë euro.

Ozan Tufan do ta mirëpriste një eksperiencë jashtë Turqisë. Muriqi nga ana e tij kishte shkëlqyer në klubin nga Stambolli. Por, në Itali nuk arriti t’i tregonte vlerat e tij. Ai i ka realizuar vetëm dy gola këtë sezon, një në kampionat dhe një në kupë. Prandaj, nuk përjashtohet mundësia që ai të rikthehet në Turqi, ku ndër të tjera e pëlqen edhe Besiktasi.