Muriqi do të mbetet te Lazio

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi nuk do të largohet nga skuadra e Lazios gjatë kësaj vere. Sajti italian “Cittaceleste.it” ka shkruar të premten se drejtuesit e Lazios kanë vendosur që Muriqit t’ia japin edhe një rast për ta dëshmuar veten dhe do të llogaritin në të për sezonin e ardhshëm.

Thuhet se klubi italian ka vlerësuar angazhimin e Muriqit në ndeshje përkundër që i kanë munguar golat pasi në sezonin e tij të parë nuk ka arritur të adaptohet në Serie A.

Në sezonin e tij të parë te Lazio, Muriqi ka shënuar dy gola dhe ka bërë një asistim në 33 ndeshje, në të cilat kryesisht është aktivizuar nga banka e rezervistëve. 27-vjeçari ka kontratë deri në vitin 2025 me Lazion, ekip të cilit iu bashkua nga Fenerbahçe verën e shkuar për 20 milionë euro.