Pasi që kaloi te Barcelona në formë të huazimit nga Valencia, Jeison Murillo ka zbuluar se i kishte premtuar vetes se një ditë do ta mbante veshur fanellën e katalanasve.
26 vjeçari do të jetë në huazim te Barcelona deri në përfundim të këtij sezoni, ndërsa klubi “Blaugrana” ka opsionin e blerjes përfundimtare për 25 milionë euro.
Mbrojtësi kolumbian besohet të jetë transferuar në “Camp Nou” pas problemeve që ka pasur skuadra e Ernesto Valverdes në repartin defansiv, me Samuel Umtitin dhe Thomas Vermaelen që pritet të mungojnë për një kohë të gjatë.
Murillo është paraqitur në vetëm 3 ndeshje me Valencian këtë edicion, ndërsa ish mbrojtësi i Interit e cilëson ëndërr të kthyer në realitet kalimin te Barcelona.
“Dy vite më parë i pata thënë vetes se një ditë do ta mbajë veshur fanellën e Barcelonës. E kam përmbushur ëndrrën time dhe vijë këtu me qëllimin që t’i ndihmojë skuadrës sa më shumë që të jetë e mundur. Do të mundohem ta shijoj këtë moment dhe shpresoj se gjithçka do të shkojë mbarë”, tha Murillo.
Barcelona ndeshjen e fundit për këtë vit e zhvillon ndaj Celta Vigos të shtunën në shtëpi.







