Muratit s’i vjen mirë që Vuçiq u gjend tek terminali i gazit në Greqi, kritikon lidershipin kosovar

Kreu i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka reaguar ashpër me rastin e përurimit të terminalit të gazit të lëngshëm që u bë sot në Greqi, ku i pranishëm ka qenë edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuciq.

Murati ka kritikuar udhëheqësit e Kosovës, duke thënë se janë hedhur në sulm për të bindur botën se kush është Vuçiqi, derisa ky i fundit po merr pjesë në përurimin e terminalit të LNG-së në Greqi, projekt amerikano-evropian.

Kreu i LB-së ka thënë se Kosova jo vetëm që ka munguar por edhe “në mënyrë të papërgjegjshme ka refuzuar një projekt të tillë”.

“Janë disa projekte strategjike të cilat nuk kanë çmim dhe as nuk maten me studime fizibiliteti. Një i tillë është projeti amerikan i gazit të lëngshëm natyror (LNG), thelbësor për diversifikimin e burimeve të energjisë në Evropë. Sot u bë përurimi i terminalit të LNG-së në portin grek të Alexandropolit, investim ky amerikan dhe i BE-së. Përderisa udhëheqësit e Kosovës janë hedhur në ofensivë për të “bindur” botën kush është Vuçiqi, e kush Putini dhe cila është lidhja në mes të tyre, ky i pari sot ishte prezent në përurimin e terminalit në Greqi. Kosova, jo vetëm që po mungon, por në mënyrë krejt të papërgjegjshme qeveria jonë refuzoi të jetë pjesë e këtij projekti. Kjo vertetë është diplomaci shumë e hollë!!!”, ka shkruar Murati në Facebook.

Postimi i plotë: