Murati: Tani që duhet të jemi më unikë se kurrë, jemi futur në një gjendje të paparë kaosi

Kryetari i partisë Lëvizja për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se është e çuditshme se si Qeveria e tanishme, si asnjëherë më parë, i ka rënduar marrëdhëniet me aleatët tanë SHBA-në dhe BE-në.

Murati thekson se në këto momente është dashur të jemi unikë se kurrë, por fatkeqësisht thotë se jemi në një gjendje të paparë kaosi.

“Në momentet kur ne duhet të jemi më unikë se kurrë, në prag të bisedimeve me Serbinë, ne jemi në një gjendje të paparë kaosi. Si asnjëherë më parë Qeveria i ka rënduar marrëdhëniet me aleatët tanë SHBA-në dhe BE-në. Vendosja e drejtë e taksës dhe masave të tjera të reciprocitetit ndaj Serbisë, nuk duhet të shërbejë si instrument për t’u prishur me aleatët tanë, e sidomos jo me SHBA-në. Si asnjëherë më parë, për shkak të papërgjegjësisë qeveritare vendi gjendet në një kaos të brendshëm të grevave dhe pakënaqësive për pagat dhe gjendjen sociale”, ka thënë Murati

Kreu i LB-së thotë se marrëdhëniet, jo vetëm pozitë-opozitë, por edhe ato brenda kampit qeveritar e po ashtu edhe ato brenda kampit opozitar, janë të ndara.

“Opinioni është mjegulluar e çoroditur tërësisht. Ndërsa një marrëveshje me Serbinë nëse jo sot, nesër, nëse jo nesër pasnesër, nëse jo pasnesër pas një viti apo në një të ardhme jo të largët, është e domosdoshme për të vendosur bazat e funksionalizimit të shtetit të Kosovës qoftë në arenën ndërkombëtare po ashtu edhe në planin e brendshëm”, potencoi ai.