Murati: Qeveria Haradinaj ka keqpërdorur 48 milionë euro në projektin e autostradës Prishtinë-Pejë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kanë gjetur shkelje në vendimin e Qeverisë “Haradinaj”, për shpronësimet në segmentin rrugor Kijevë-Zahaq, pjesë në të cilën është paraparë që të kalojë autostrada e Pejës.

Murati tha se kanë dyshime se janë falsifikuar 12 milionë euro. Për këtë Murati tha se kanë edhe fakte.

“Deri më tani gjithnjë kemi thënë se në vazhdimësi, pra me shpronësimet dhe me projektet e mëdha ka pasur dallavere dhe ka pasur keqpërdorime dhe tani i kemi edhe shifrat edhe dokumentin që e dokumenton këtë gjë. Pra bëhet fjalë për një keqpërdorim 43 milion euro e që në fakt brenda atij 43 milionë euro ka dyshime të mjaftueshme për të konstatuar se bëhet fjalë për falsifikim të 12 milionë eurove. Pra, falsifikim të vlera deri në 12 milionë euro”, ka thënë ai.

Më tutje, ministri Murati ka dhënë detaje edhe për procesin e marrjes së këtij vendimi nga qeveria asokohe, teksa tha se ka pasur raste kur parcela që kanë qenë ngjitur me njëra tjetrën janë vlerësuar me çmime të ndryshme.
Madje, ai tha se me çmime më të larta janë vlerësuar pronat e disa qytetarëve të komunitetit serbë.

“Ministria e Infrastrukturës më 24 gusht 2018 ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor asokohe. Po flasim për Qeverinë AAK-PDK-Nisma, qeverinë e PAN-it ose Haradinaj, dhe në atë shkresë kërkohet fillimi i procesit të shpronësimit për segmentin Kijevë-Zahaq 31.3 kilometra ku do të shpronësoheshin 1059 prona, 858 prona private, 148 prona shoqërore si dhe 51 prona të privatizuara. Më 19 shkurt 2019, kemi vendimin preliminar për shpronësim,, kurse me 17 maj 2019 kemi tabelën e vlerësimit. Në këtë tabelë vlerësimi i Departamentit për Vlerësimin në Pronë që i është dërguar ministrisë së Mjedisit, vlera e tërësishme e shpronësimit është vlerësuar të jetë 31.400.729 euro. Më tutje, vendimi procedohet si pikë e rendit të ditës në një kohë kur Qeveria ishte në dorëheqje, Qeveria në detyrë merr vendim për të miratuar shpronësimin e pronave të këtij segmenti”, ka thënë Murati.

Ndër të tjera Murati tha se kanë dyshime të bazuara se janë falsifikuar 12 milionë euro në këtë proces.

“Vlera sipas tabelave që janë dorëzuar nga Zyra e Kryeministrit, njësisë së auditimit kap shifrën 43 milionë euro, kurse vlera e vlerësimit që kishte bërë Departamenti i Tatimit në Pronë kishte vlerën 31 milionë euro. Përgjatë rrugës prej vlerësimit dhe deri tek marrja e vendimit në Qeverinë e Kosovës, vlerat janë shtuar për 12 milionë euro dhe nuk kemi të bëjmë me shtim inflacioni dhe për të gjitha pronat. Por janë prona të veçanta të cilat që në fillim janë vlerësuar lartë dhe janë dyfishuar. Kësisoj kemi përfunduar me një fryrje dhe falsifikim të 12 milionë eurove”, ka thënë më tutje ai.

“Një pjesë e madhe e atyre pronave u takojnë edhe pronarëve që sipas emrit mund të vërehen se janë të komunitetit serbë. Kjo është tepër e çuditshme. Parcelat që janë ngjitur me njëra tjetrën për shkak se kanë pronar të ndryshëm, njëra është vlerësuar 800 euro ari, kurse prona tjetër 3500 euro ari. Deri u marrë vendimi i Qeverisë, kjo 3500 është rritur në 7000. Kjo tjetra ka vazhduar të qëndrojë 800, teksa tjetra është dyfishuar”, ka thënë më tutje ai. /Express/