Ministri i Financave

Murati prezanton disa shifra pa burime, thotë se po e demanton propagandën

Ministri i Financave, Hekuran Murati, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ka thënë se vetëm në janar të këtij viti në Kosovë janë hapur plotë 998 biznese.

Sipas Muratit gjatë tërë vitit 2023 në Kosovë janë regjistruar gjithsejtë 11 mijë e 409 biznese të reja.

Në asnjë rast, Murati nuk ka dhënë referenca apo nuk ka cituar burimin se nga ku i ka marrë këto të dhëna, ndërsa ka supozuar se kështu po demanton propagandën e artikuluar nëpër studiot televizive.

“Në janar 2024 janë hapur 998 biznese të reja, ndërsa janë shuar 133 sosh. Mirëpo nëpër studio televizive flitet vetëm për ato të shuarat, për të krijuar përshtypjen e një apokalipsi të paqenë. Edhe kësaj radhe, shifrat dhe faktet demantojnë propagandën”.

Ndryshe Murati edhe të premten prezantoi disa shifra, kur për dallim ai citonte edhe burimin.

Ministri i Financave, të premten, tha se qarkullimi i bizneseve në Kosovë për periudhën janar –shkurt të këtij viti, krahasuar me vitin 2023, ka shënuar një rritje prej 4.8 për qind.

Kjo shifër, sipas Muratit, është e dhënë zyrtare e Agjencionit Tatimor të Kosovë.

“Çdo pretendim tjetër nëpër studio televizive ose është i keqinformuar, ose qëllimkeq”, ka shkruar ai.

VIDEO BONUS: