Njohësi

Murati: Edhe në të kaluarën ka pasur ankesa për votat e ardhura nga Serbia, nuk janë marrë parasysh

Njohësi i çështjeve politike Artan Murati, ka thënë se stërzgjatja e shpalljes së rezultateve përfundimtare është njollë në procesin e mirë zgjedhor.

Murati në RTV Dukagjini ka thënë se deri në certifikim të rezultateve kanë mbetur edhe dy procese.

“E para ka të bëjnë me ankesat që mund të bëhen në PZAP 24 ora pas shpalljes së rezultateve përfundimtare. PZAP është e obliguar që të merr vendim përsëri për një afat prej 24 orësh për ankesat e dërguara. Mirëpo të pakënaqurit përsëri kanë të drejtë të ankohen në një shkallë të dytë. Në këtë rast është Gjykata Supreme ku subjektet politike apo kandidatët mund të ankohen”.

Njohësi i çështjeve politike Artan Murati ka thënë se megjithatë palët mund të ankohen edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Ai ka thënë se megjithatë Gjykata Kushtetuese nuk mund të merr vendim të shpejt për çështjet në bazë të precedentëve të mëhershëm siç ka qenë rasti i Arban Abrashit në Prishtinë apo AAK-së në Istog.

Duke folur për votat e ardhura me postë nga Serbia, Murati ka thënë se është shumë e vështirë të gjenden arsye për të mos llogaritur këto vota.

“Ka pasur edhe më herët ankesa për këto vota si janë sjellë dhe trajtuar por asnjëherë nuk janë marrë për bazë. Edhe unë jam kurioz të shoh nëse do të gjendet ndonjë arsyeshmëri për të mos llogaritur këto vota të ardhura nga Serbia”.

Duke folur për formatin e qeverisë së ardhshme, Murati ka thënë se numri i proklamuar prej 12 ministrive mund të jetë problematik pasi sipas tij mund të ketë restrikcione ligjore në mënyrë që serbet dhe komunitetet tjera të kenë ministri shtesë.

“Megjithatë, edhe nëse shkon në 15 numri i ministrive është një lajm i mirë”, tha ndër të tjera Artan Murati.

loading…