Munter: Vuçiq do marrëveshje me Kosovën, por edhe “jo të nënshkruaj letra”

Ish-ambasadori amerikan në Beograd, Cameron Munter, në një intervistë për të përditshmen serbe “Danas” tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është i gatshëm të bëjë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por edhe “jo të nënshkruaj letra”.

“Dhe mendoj se kjo është gjë e mirë, meqë edhe në Kosovë ka njerëz që janë të gatshëm të bisedojnë. Kujtoj se Vuçiqi është i gatshëm të bisedojë, meqë e di mirë se e ardhmja e Serbisë është thelbësisht e lidhur me të ardhmen e Kosovës. Njëra pa tjetrën nuk shkojnë”, është shprehur Munter në këtë intervistë.

Munter, i cili deri kohë më parë ishte president i Institutit East West, tha se gjatë takimit të javës së shkuar me Vuçiqin nuk kishte biseduar rreth asaj se çfarë kishte ndodhur një javë më parë, por shumë më shumë “në lidhje me planet dhe perspektivat e dialogut të Kosovës me Serbinë dhe çfarë dialogu do të kishim në dhjetor”.

“Ende nuk e di se kush do të jetë nga pala kosovare, por e di se Vuçiq është i interesuar. Po ashtu dëshirojmë të sigurojmë që amarikanët dhe europianët do të përfshihen”, ka sqaruar ai.

Munter është shprehur i shqetësuar “për gjërat që nuk kishin ekzistuar para 10 vjetësh, kur ka qenë ambasador”, përcjell Koha.net. Ai ka thënë se “Fjala është për kinezët që tash janë këtu, turqit janë të interesuar, rusët kanë tjetër tufë idesh. Ne dëshirojmë të jemi të sigurt që të kuptojmë secilin prej tyre, meqë fjala është për një afat të gjatë” ka thënë ish-amabasadori.

loading…