Munishi para ndeshjes me Dukagjinin: Të dalim në fushë me krenari, t ‘i bëjmë krenarë “Plisat” me luftë dhe angazhim në fushë

FC Prishtina e fillon të shtunën (13 gusht) një mision të ri. Skuadra “bardhekaltër” do ta nis edicionin e ri në futbollin e Kosovës me ndeshjen ndaj Dukagjinit të Klinës, sfidë e cila i takon xhiros së parë të BKT Superligës së Kosovës në futboll.

Ndeshja në fjalë luhet nga ora 17:00 në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.

Prishtina do të startojë në këtë edicion me trajnerin prishtinas, Ismet Munishi që e ka bërë një skuadër të re, e të cilën e ka përgatitur tash e disa javë në Kosovë dhe në Mavrovë të Maqedonisë së Veriut.

Prishtina gjatë fazës përgatitore i ka zhvilluar edhe shtatë ndeshje miqësore ndërkohë që përgatitjet e fundit para duelit me Dukagjinin i ka kryer në fushën e KEK-ut në Obiliq teksa skuadra natën e së premtes do ta bëjë së bashku e karantinuar në Istog.

Munishi për faqen zyrtare të klubit ka folur para ndeshjes dhe është shprehur optimist për sfidën ndaj Dukagjinit.

𝐆𝐣𝐞𝐧𝐝𝐣𝐚 𝐞 𝐬𝐤𝐮𝐚𝐝𝐫𝐞̈𝐬 𝐝𝐡𝐞 𝐚𝐭𝐦𝐨𝐬𝐟𝐞𝐫𝐚 𝐧𝐞̈ 𝐞𝐤𝐢𝐩 – Gjendja e skuadrës është fantastike. Mund të them se kemi punuar shumë mirë fazën përgatitore dhe të gjithë e dhënë më të mirën e tyre. Atmosfera në ekip është shumë e mirë.

𝐍𝐝𝐞𝐬𝐡𝐣𝐚 𝐧𝐝𝐚𝐣 𝐃𝐮𝐤𝐚𝐠𝐣𝐢𝐧𝐢𝐭 – Në takimin e nesërm futemi me optimizëm të madh. Synimet e Prishtinës janë gjithmonë shumë të qarta, edhe në këtë takim shkojmë për fitore. Nuk kemi mungesa dhe të gjithë lojtarët janë në dispozicion. Unë, stafi dhe futbollistët jemi krenar që jemi në klubin më të madh në vend. Të dalim në fushë me krenarinë më të madhe, t’i bëjmë krenar tifozët tanë “Plisat” me luftë dhe angazhim në fushë.

𝐌𝐞𝐬𝐚𝐳𝐡𝐢 – Kryesia, futbollistët, stafi, tifozët dhe të gjithë qytetarët duhet punuar të gjithë së bashku që ta kthejmë Prishtinën aty ku e meriton. Prishtina është e të gjithëve.