Munishi flet pas fitores: I lumtur me tri pikët dhe i kënaqur me fillimin e edicionit

Ismet Munishi, kryetrajner i FC Ballkanit mbetet i kënaqur me fitoren e realizuar në duel përballë Trepçës ’89, por ka mbetur i zhgënjyer me reagimin e disa futbollistëve.

Shefi i shtabit teknik te ekipi nga Theranda ka sinjalizuar disa futbollistë të cilët u inkuadruan në pjesën e dytë të lojës, teksa nuk është ndalur të flas për individë.

“Ishte një ndeshje e mirë, pasi që u përballën dy ekipe që luajnë futboll shumë të mirë. Lëndimi i Edvin Kuç na shkaktoi telashe, pasi që ai është një lojtarë shumë i rëndësishëm për ne. Pastaj nuk jam i kënaqur me disa rezervistë që u inkuadruan në pjesën e dytë të lojës, por nuk dua të ndalem në detaje”, deklaroi Munishi pas ndeshjes.

Më tej ai ka folur edhe për suksesin e ekipit të tij në këtë fillim sezone, por që beson se skuadra e tij ka mundur të bëjë edhe më mirë.

“Jam shumë i kënaqur nga ky fillim kampionati, kemi mundur të marrim ndoshta edhe më shumë pikë, por jemi të kënaqur edhe me këto pikë që kemi grumbulluar”, përfundoi Munishi.

Tani me këtë fitore Ballkani ngjitet në majen e klasifikimit me tetë pikë. Në këtë pozitë do të qëndrojë të paktën derisa të zhvillohen ndeshjet tjera të javës së katërt.

loading…