Munishi: Duhet të pezullohet kampionati

Tashmë janë regjistruar dy rastet e para me Koronavirus në Kosovë.

Në Superligën e Kosovës janë planifikuar të zhvillohen ndeshjet e kësaj jave nesër dhe pasnesër pa tifozë, por regjistrimi i rasteve të para nënkupton që këto ndeshje mund të mos zhvillohen fare.

Në lidhje me pezullimin e përkohshëm të garave në Superligë është deklaruar trajneri i mirënjohur kosovar, Ismet Munishi.

“Mendoj që duhet shumë seriozisht ti qasemi kësaj situate, sepse e pamë vendet që e neglizhuan koronavirusin si kaluan kemi shembuj shumë, mendoj që duhet të vetëdijesohemi më shumë dhe të marrim të gjitha masat e nevojshme” deklaroi fillimisht Ismet Munishi.

“Mendoj që duhet të pezullohet kampionati, deri në afatin e stabilizimit kemi shumë përgjegjësi duhet te reagojmë shpejtë” ka deklaruar Munishi për GazetaBlic.

“Nuk duhet te krijojmë panik, por duhet të tregojmë disciplinë dhe kujdes të shtuar”.

Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi nga Federata e Futbollit të Kosovës, teksa pothuajse gjitha ligat nëpër botë janë ndërprerë.

Deri më tani, disa sportistë kanë rezultuar pozitivë në testet mjekësore, duke u detyruar të futen në karantinë, si ata, ashtu edhe shokët e tyre, madje edhe rivalët.

Timo Hubbers i Hannover ishte futbollisti i parë i konfirmuar me koronavirus, për t’u pasuar me dy lojtarë të tjerë, Daniele Rugani (Juventus) dhe Manolo Gabbiadini (Sampdoria).

Në orët e vona të ditës së enjte, Arsenal konfirmoi se me koronavirus është prekur edhe trajneri i tyre, Mikel Arteta, dhe pas mesnate, me koronavirus u konfirmuar edhe ylli i Chelseat, Callum Hudson-Odoi.

Basketboll – Në Evropë, i pari pozitiv ka dalë Trey Thompkins i Real Madridit, i cili ka shkaktuar tronditje të madhe edhe te pjesa e futbollit, të cilët po ashtu janë në karantinë.

I rrallë ka qenë edhe rasti i basketbollistit të Utah Jazz, Rudy Gobert, që ka sjell pezullimin e NBA. Çiklizëm – Fernando Gaviria në rrjetet sociale ka njoftuar se ka marrë virusin, dhe se mbetet i izoluar në Abu Dhabi.