Mungon Co2-shi| Spitali në Vushtrri qe 3 muaj pa operacione laparaskopike

Është vendi ku banorët e Komunës së Vushtrrisë dhe jo vetëm drejtohen për çdo problem shëndetësor.

Por tash e disa muaj në spitalin “Sheikh Zayed”, nuk mund të kryhen operacionet laporaskopike.

Krejt kjo pasi që në këtë spital tash e tre muaj mungon dioksidi i karbonit i cili shërben për të lehtësuar punën e kirurgut gjatë operimit.

Prapa kamerës, pacientët tregojnë për mungesën e dioksidit të karbonit.

Drejtori i Shëndetësisë në Vushtrri, Nexhmedin Rashica thotë se janë në dijeni për mungesën e kësaj përbërje kimike, por që nuk mund të ndërmarrin asnjë masë pasi thekson se kompetencat i takojnë SHSKUK-së.

“Vushtrria është një vend i vogël dhe jemi të informuar nga pacientet që nuk po kryhen këto operacione dhe furnizimi më këtë produkt është në nivel të Qeverisë së Kosovës (Ministrisë së Shëndetësisë), respektivisht nga SHKUK-ja dhe Komuna nuk mundet të bëjë furnizimin më këtë produkt”, ka theksuar Nexhmedin Rashica, Drejtor i Shëndetësisë, Vushtrri

Me mungesë të dioksidit të karbonit janë ballafaquar edhe spitalet e tjera rajonale.

Por disa nga to tashmë kanë bërë zgjidhje në mënyrë vetanake.

“Nuk ka firmë të licencume në Kosovë që mundet me na furnizu, unë vitin e kaluar e kam gjetë një firmë që na furnizon me oksigjen, dhe i kom lutë ata që të na bëjnë një donacion, një bocë të CO2 që për 8 muaj mundemi me funksionu me atë bocë. Për momentin nuk kemi mungesë, por ne e kemi marrë një donacion vet”, ka thënë Jeton Zarari -Drejtori i Spitalit të Gjakovës.

“Nëse nuk gaboj para disa muajve e kemi pasur një diskutim më drejtoreshën me këtë punën e furnizimit më CO2, po na e bëjnë kompania që na furnizon me oksigjen pasi nuk ka një kompani të licencuar”, ka deklaruar Selajdin Sallahu-  UD i drejtorit në Spitalin e Ferizajt për Dukagjinin.

SHSKUK-ja ka thënë se Co2-shi nuk është i regjistruar si produkt medicinal pranë AKPPM-së, rrjedhimisht nuk ka autorizim marketingu.

“Më parë kemi hapur procedura të prokurimit mirëpo pasi nuk ka pasur Autorizim Marketingu në Republikën e Kosovës si dhe ka qenë vlerë e vogël  nuk ka aplikuar asnjë Operatorët Ekonomik”, kanë thënë SHSKUK.

Tutje SSHKUK ka pranuar se sasi të kësaj përbërjeje janë siguruar në formë të donacionit.