Thomas Muller ka reaguar me zemërim ndaj lajmit se ai nuk është me pjesë e planeve të ekipit kombëtar të Gjermanisë dhe ka premtuar se do të fitojë përsëri një vend në skuadrën e Joachim Lowit.

Trajneri i Gjermanisë, Low, bëri të ditur se një fillim i ri ka nisur për ekipin kombëtar, pas eliminimit nga Kupa e Botës qysh në fazën e grupeve, për herë të parë që nga viti 1998.

Low e ka larguar nga skuadra Mullerin, Jerome Boateng dhe Mats Hummels për ndeshjet kundër Serbisë dhe Holandës, këtë muaj, pasi që ka bërë të ditur se nuk i sheh këta lojtarë si pjesë të planit afatgjatë.

Por, Muller nuk pranon të besojë se karriera e tij me Gjermaninë ka përfunduar, pas 38 golave të shënuar në 100 paraqitje me Gjermaninë.

“Unë jam i tronditur nga vendimi i trajnerit të kombëtares, por sa më shumë që po e mendoj, aq më shumë po zemërohem”, ka thënë ylli 29-vjeçar i Bayern Munichut, në një video të postuar në Instagram.

“Nuk kam kohë për këtë vendim që është marrë për mua. Mats, Jerome dhe unë mund të luajmë ende në futbollin e nivelit më të lartë. Ne kemi qenë me ekipin kombëtar tash e një kohë të gjatë dhe kemi arritur shumë suksese gjatë viteve të fundit”.

“Dhe, pastaj, pasi na u dha ky vendim, deklaratat e parapërgatitura nga Federata e Futbollit të Gjermanisë dhe presidentit të kësaj federata iu dhanë mediave. Nuk u treguan aspak të mirë dhe aspak mirënjohës”.

“Ata që më njohin e dinë se jam luftëtar. Do ta shikoj të ardhmen. Me Bayernin, ne e kemi një sezon emocionues përpara nesh dhe jemi në garë për tre tituj. Me këtë, dua të them vetëm edhe një gjë: Ndeshja s’ka përfunduar”.