Mulaomeroviqi thotë se Maqedonia është favorit, por Kosova synon fitoren
Përzgjedhësi i Kosovës në basketboll, Damir Mulaomeroviqi një ditë para duelit me Maqedoninë është shprehur i vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit, por në të njëjtën kohë ai ka premtuar se basketbollistët tanë do të japin maksimumin dhe do të bëjnë përpjekje për të luajtur sa më mirë.
“Të dielën ne do të luajmë kundër Maqedonisë, e cila ka një ekip shumë të mirë, ku në përbërje janë vëllezërit Stojanovski, pastaj Trajkovski, si dhe lojtari i ri i cili luan në Spanjë, Whittington. Pas humbjes me rezultat të ngushtë nga Rumania, ne do të bëjmë përpjekje për të luajtur sa më mirë ndaj Maqedonisë”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.
Ai më tutje ka shtuar se, “tani me ne është bashkuar Mikaile Tmusiq, i cili do të ketë pak kohë për t’u përshtatur me ekipin, sidoqoftë ai është një basketbollist profesionist dhe do të mundohet të japë maksimumin për ekipin”.
Trajneri i Kosovës më tutje ka shtuar se ndeshja ndaj Rumanisë ka lodhur shumë lojtarët, që dhanë maksimumin e bënë një paraqitje shumë të mirë por që nuk arritën të marrin rezultat pozitiv.
“Ne po ashtu jemi të lodhur pas duelit me Rumaninë, sepse e kemi dhënë maksimumin në atë ndeshje, dhe është dashur të fitojmë, sepse kemi luajtur mjaft mirë dhe atë me përbërje vetëm më lojtar vendorë. Kjo është ajo që më ka dëshpëruar më së shumti, sepse të gjithë lojtarët kanë luajtur mjaft mirë dhe krejt në fund nuk ia dolëm të triumfojmë”, ka thënë ai. “Sido që të jetë ne të dielën do të dalim në parket dhe do të bëjmë më të mirën, për të treguar basketboll cilësor dhe për të mposhtur Maqedoninë, edhe pse e dimë se do të jetë shumë vështirë, sepse ata janë favoritë në këtë ndeshje”.
Nesër nga ora 17:45 Kosova do të përballet me Maqedoninë në Gjevgjeli në kuadër të kualifikimeve për Botëror.