Jasmin Mujanoviq

​Mujanoviq e quan hipokrizi të BE-së hapjen e bisedimeve me Moldavinë duke anashkaluar Kosovën

Politologu nga Bosnja e Hercegovina, Jasmin Mujanoviq, ka reaguar pas dhënies së kandidaturës dhe hapjes së negociatave të Bashkimit Evropian (BE) me Moldavinë, duke anashkaluar Kosovën.

Ai në një postim në rrjetin social X, e ka quajtur hipokrizi kandidaturën dhe nisjen e negociatave me Moldavisë, pavarësisht se ky vend përballet me çështjen e Transnistrisë.

Mujanoviq ka thënë se hipokrizia e BE-së është e jashtëzakonshme dhe serioze duke pasur parasysh faktin se Kosova në krahasim me Moldavinë, është një vend me kredenciale pa dyshim më thelbësore për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Transnistria është një territor i panjohur ndërkombëtar që konsiderohet si pjesë e Moldavisë.

Ajo është përcaktuar zyrtarisht nga Republika e Moldavisë si Njësi Administrativo-Territoriale e Bregut të Majtë të lumit Dniestër.

Në mars 2022, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi një rezolutë që përcakton territorin si nën pushtimin ushtarak nga Rusia.

Ndryshe, Këshilli Evropian ka vendosur dje të hapë negociatat e pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë, ndërsa Gjeorgjia ka marrë statusin e vendit kandidat.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shkroi në rrjetin social X, se BE-ja do të hapë negociatat edhe me Bosnje e Hercegovinën sapo të arrihen kriteret e anëtarësimit.