LVV

Muja tregohet më i kujdesshëm me Lajcakun, thotë se Kosova s’mund t’i zgjedh ndërmjetësit

Që nga takimi i 14 shtatorit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në vazhdimësi ka drejtuar akuza ndaj emisarit sllovak, Miroslav Lajcak. Sipas kreut të ekzekutivit kosovar, emisari sllovak ka bashkëpunuar me Serbinë kundër Kosovës dhe ka rehabilituar kërkesat serbe në dialog.

Një gjuhë e tillë e Kurtit ndaj Lajcak është pasur me qëndrime të Brukselit dhe Uashingtonit që kanë shprehur përkrahjen për punën e emisarit sllovak. Madje i dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor ka thënë se Kosova me 1 milion e gjysmë s’mund të bind gjithë komunitetin transatlantik për të ndërruar taktikë.

Duket se kjo moslëkundje e dy qendrave kryesore, Uashingtonit dhe Brukselit, ka nisur të japë efektet e para në Kosovë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë për KosovaPress se pret një qasje të balancuar në dialog, derisa ka theksuar se Kosova nuk e ka opsionin e zgjedhjes së ndërmjetësve të dialogut dhe se është BE-ja që me mandat nga Këshilli i Sigurimit lehtëson bisedimet.

Muja është treguar i kujdesshëm edhe me gjuhën e përdorur ndaj emisarit sllovak, Mirsolav Lajcak. Derisa Kurti e ka akuzuar hapur sllovakun se është bërë një me Serbinë, Muja ka thënë se duhet ajo çfarë duhet potencuar është se “Lajaçak mos e ka tejkaluar linjën e kuqe të devalvimit të plotë si palë”.

“Tendenca për të devijuar nga marrëveshja e 27 shkurtit mendoj se është kundër qëllimeve të vet Bashkimit Evropian. Përpjekja për të justifikuar pengesat që i qet Serbia për zbatimin e çfarëdo marrëveshje që nga viti 2011 nuk i ndihmojnë procesin. Ajo çka unë pres është që të ketë një balancim të qasjes në dialog dhe të ketë një përkushtim të palëve, përfshirë edhe BE-në për zbatimin pikë për pikë të marrëveshjes së Brukselit, ku njohja de-facto është në qendër…Kosova nuk e ka opsionin e zgjedhjes së ndërmjetësve, në fakt Bashkimi Evropian është mandatuar edhe nga Asambleja e Këshillit të Sigurimit dhe po ndërmjetëson. Por ajo çka ne duhet të potencojmë është se ndërmjetësuesi Lajçak mos e ka tejkaluar linjën e kuqe të devalvimit të plotë si palë, duke u bërë dhe kohë pas kohe duke marrë pozicione të Serbisë. Mendoj se ky dialog nuk i kontribuon tejkalimit të ngërçit dhe as arritjes së marrëveshjes dhe paqes në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Muja.