Muja: Dje nuk ishte dita kur flitet për të këqijat që i ka bërë Oliver Ivanoviq

Në 5-vjetorin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, deputeti nga radhët e Lëvizjes Veteëvendosje, Armend Muja ka thënë se Kosova ka humbur një dëshmitar kundër Beogradit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Muja thotë se dje ka qenë dita kur tregohet se si Beogradi i vret edhe ata që i kanë shërbyer më herët Serbisë.

“Dje ka qenë pesëvjetori i vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Nuk ka qenë dita kur flitet për të këqijat që ai i ka bërë, por për të keqen që ia kanë bërë atij. Dita e djeshme është dita kur tregohet qysh Beogradi i vret edhe ata që i kanë shërbyer Serbisë më herët. Oliver Ivanoviq u pat dënuar me 9 vjet burg për krime lufte, të cilat me shumë gjasë i ka kryer, ndonëse procesi ndaj tij u kthye në rigjykim nga EULEX-i. Qartazi, Beogradi është frikësuar që Ivanoviq ka nisur të bashkëpunojë me EULEX-in dhe ai ka shumëçka që mund të tregojë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai po ashtu ka treguar edhe dy motivet kryesore, që sipas tij kanë dërguar në vrasjen e Ivanoviqit.

“Njëkohësisht, Ivanoviq e nisi pluralizmin politik te serbët në Kosovë duke kundërshtuar Listën Serbe. Këto duket se kanë qenë dy motivet kryesore që shpien në vrasjen e tij. Për këtë duhet të diskutohet tash. Me vrasjen e Oliver Ivanoviqit pesë vjet me parë, sipas të gjitha gjasave, kemi humbur kundërshtarin më serioz të Listës Serbe dhe po ashtu një dëshmitar kundër Beogradit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”, është shprehur ai.

Ndryshe,deklarata e djeshme e kryeministrit Albin Kurti se do donte që kujtimi i Ivanoviqit të mbetet i gjallë si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumetnike, ngjalli reagime të shumta në vend e madje u cilësua edhe si shumë shqetësuese.