Ikja

Muhaxheri: Kosova në 2024-ën do të përballet me një eksod masiv në kohë paqe për fajin e Qeverisë

Kosova e ka pasur një eksod ku ne jemi përndjekur nga regjimi i Slobodan Millosheviqit në vitet 98-99′ por ky do të jetë eksod masiv në kohë paqe në drejtimin e kësaj Qeverie

Njohësi i çështjeve ekonomike, Arton Muhaxheri, ka thënë për Ekonomia Online se viti 2024 do të jetë sfidues për bizneset në vend. E shkak për këtë sipas tij do të jetë ikja e qytetarëve nga Kosova.

Muhaxheri ka thënë se përgjatë vitit 2024, Kosova do të ballafaqohet me një eksod të ri në kohë paqeje për fajin e kësaj qeverie.

Ndonëse migrimin e konsideron, Muhaxheri ka thënë se shqetësuese është ikja e të rinjve dhe atyre që e kanë një vend pune. Shkak sipas tij, është mungesa e një të ardhme këtu.

“Ikja e qytetarëve është dukuri që ndodh kudo në botë, ndodh edhe në Kosovë por trendët të cilat po ndodhin në Kosovë, nuk besoj se ndodhin në vendet e caktuara sepse arsyet e ikjes së qytetarëve janë nga më të ndryshmet dhe shqetësuese është që nga Kosova po ikin mosha të ndryshme, jo vetëm rinia, po ikin edhe moshat e mesme edhe njerëzit që janë duke punuar që e kanë një vend pune por nuk e shohin Kosovën si vend ku ata duan t’i ndërtojnë ëndrrat e tyre dhe ardhmërinë e tyre”.

“Kjo është një nga shqetësimet më të mëdha që ka me u ballafaquar Kosova nga data 1 janar e tute, ndonëse ikjet po vazhdojnë edhe para datës 1 janar por që po janë sikur të fshehta dhe atëherë e kupton se njerëzit janë duke e lëshuar Kosovës dhe kjo kuptohet më së miri nga kërkesa e bizneseve për të punësuar njerëz, ku siç e dimë secili biznes sot ka mungesë të punëtorëve dhe kjo po ndodh si rrjedhojë e ikjes së qytetarëve dhe viti 2024 do të jetë goxha sfidues për bizneset në përgjithësi”, ka thënë Muhaxheri, teksa ka propozuar dy masa që duhet t’i ndërmarrë Qeveria e Kosovës. 

“Kjo bëhet në dy forma menaxhimi i saj: është makromenaxhimi për të ndalur ikjen e qytetarëve por edhe mikromenaxhimi që u takon kryesisht bizneseve që duhet me i rregullu kushtet për punëtorët e tyre por që më e rëndësishme është makromenaxhimi që i takon Qeverisë dhe ajo duhet me i marrë masat parandaluese, me kriju kushte dhe standarde të reja për qytetarët që të mos e lëshojnë Kosovën dhe kjo nuk po shihet gjëkundi sepse nuk ka asnjë plan deri më tani që Qeveria po merr për me i parandalu këto, madje nuk ka as plane vetëdijuese sepse njerëzit mendojnë se kur dalin jashtë kanë me i gjet ëndrrat e veta atje por besoj se realiteti ka me qenë ndryshe”, ka thënë tutje ai.

Faj për ikje të rinjve sipas Muhaxherit ka edhe Qeveria Kurti, pasi sipas tij ekzekutivi e ka ndërtuar një “shpresë të rreme”. Ai ka treguar edhe për sektorët që do të jenë më të rrezikuar për mungesë të punëtorëve.

“Këto tri vitet e fundit problemet kanë dalë në kulminacion për shkak të shpresës së rreme që e ka ndërtuar kjo Qeveri dhe me ardhjen e tyre në pushtet e kanë parë që nuk janë duke bërë asgjë dhe më ata nuk asnjë lloj shprese për të qëndruar këtu dhe ky është shqetësim sepse Kosova po i humb qytetarët e vet, konsumi do të bjerë ndjeshëm dhe unë konsideroj që do të ballafaqohemi me një eksod të ri në kohë paqeje sepse Kosova e ka pasur një eksod ku ne jemi përndjekur nga regjimi i Millosheviqit në vitet 98-99′ por ky do të jetë eksod masiv në kohë paqe në drejtimin e kësaj Qeverie”, u shpreh ai.