Muharremaj: Qytetari i infektuar nuk u prek me COVID-19 në Suharekë, por në këtë qytet

Ditë më parë i prekuri i vetëm nga Suhareka me coronavirus ishte shëruar plotësisht duke larguar këtë komunë nga lista e atyre që kanë persona të prekur me coronavirus.

Instituti Kombëtarë i Shëndetit Publik ka njoftuar se sot edhe një qytetar tjetër nga kjo komunë rezulton i prekur nga coronavirusi.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka thënë për RTV Dukagjinin se qytetari i prekur së fundmi është rast kontakti dhe jo rast i ri.

“I kemi edhe tetë anëtarë të kësaj familje që duhet të kryejnë testet. E kemi edhe një familje tjetër të dyshuar që kanë pasur kontakte me personin e rezultuar së fundmi me coronavirus”, tha ai.

Muharremaj thotë se në bazë të informacioneve personi i prekur me coronavirus ka mbetur në Banjë të Malishevës nga ku edhe mendohet se ka marrë coronavirusin.

Sipas Muharremajt i prekuri nga Suhareka ka lidhje familjare me një familje nga Banja e Malishevës.

“Qytetarët duhet ta kuptojnë se është në të mirën e tyre te respektojnë udhëzimet e institucioneve dhe të mos bëjnë vizita të ndërsjella te familjarët”, tha ndër të tjera Bali Muharremaj.