Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka marrë një vendim që lejon hyrjen dhe parkimin e automjeteve private me targa të huaja në disa hapësira publike të qytetit, ndërsa njëkohësisht ndalon përdorimin e oborrit të komunës nga punëtorët e administratës komunale.

Sipas vendimit të nënshkrua, automjeteve të mërgimtarëve u lejohet hyrja dhe parkimi në oborrin e Komunës, në oborrin e SHFMU “7 Marsi” si dhe në hapësirën e parkingut tek ish-tregu i qytetit, përballë Parkut të Dëshmorëve.

Ndërkohë, me të njëjtin vendim, punëtorëve të administratës së Komunës u ndalohet hyrja me automjete në oborrin e Komunës për të njëjtën periudhë kohore.

“Mosrespektimi i vendimit, sipas dokumentit, do të konsiderohet shkelje e kodit të mirësjelljes në punë dhe do të pasohet me masa disiplinore, në përputhje me ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.

Kjo masë do të jetë në fuqi nga data 19 dhjetor 2025 deri më 10 janar 2026.