MPJ: Nuk do të tolerojmë sjellje destruktive të Serbisë

Ministria e Punëve të Jashtme po i përcjell me vëmendje të shtuar dhe shqetësim të thellë veprimet destruktive, qasjen dashakeqëse dhe standardet e dyfishta, që shteti fqinj Serbia po i përdorë në marrëdhëniet me shtetet njohëse dhe jo-njohëse të Republikës së Kosovës duke shfrytëzuar, keqpërdorur dhe manipuluar me dialogun për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve me qëllimin për të minuar subjektivitetin dhe legjitimitetin ndërkombëtarë të Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme nënvizon qëndrimin zyrtarë se Republika e Kosovës ka hyrë në dialog me shtetin fqinj – Serbinë me vullnetin e mirë dhe besimin e plotë për të përmirësuar marrëdhëniet në mes dy shteteve dhe popujve nëpërmjet arritjes së Marrëveshjes së Detyrueshme Ligjore, e cila do të duhej të përfundonte me njohjen reciproke në mes dy shteteve dhe anëtarësimin e plotë dhe të barabartë të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Mëgjithëkëtë, Ministria e Punëve të Jashtme nuk do të tolerojë, mbetet e heshtur dhe rri duarkryq ndaj veprimeve thellësisht destruktive, qasjes dashakeqëse dhe standardeve të dyfishta të Serbisë në lidhje me dialogun si ndaj Kosovës ashtu edhe ndaj BE-së, si ndërmjetësuese e këtij procesi.

Për Kosovën, dialogu me vullnetin e mirë dhe në mirëbesim ka qenë dhe mbetet mënyra e vetme e zgjidhjes së problemeve dhe ndërtimit të besimit në mes dy shteteve dhe dy popujve, por nëse ai vazhdon të shndërrohet në instrument qëllimlig, mjet destruktiv dhe metodë manipuluese nga shteti fqinj, Republika e Kosovës do të shqyrtojë seriozisht tërheqjen, pasiqë ai do të mbeten pa asnjë vlerë.

Ministria e Punëve të Jashtme i bën thirrje përfaqësuesve të BE-së, si ndërmjetësues të dialogut, ShBA-ve si mbështetës të plotë të tij dhe shteteve të tjera aleate dhe parnere që të reagojnë menjëherë dhe t’i tërheqin vërejtjen shtetit fqinj kundrejt sjelljeve të tilla destruktive, qasjes dashakeqe dhe standardeve të dyfishta.