Jetlir Zyberaj, këshilltar i Behgjet Pacollit, ministër në dorëheqje i Punëve të Jashtme, ka thënë se Kosova duhet të lëshojë urdhërarrest ndërkombëtar, përmes UNMIK-ut, kundër Vladimir Cizeljit, këshilltar i ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.
Ditëve të fundit u konfirmuan raportimet e mëparshme se Cizelj i prin fushatës për të siguruar çnjohje ndaj Kosovës. Ai thuhet se përdor ryshfetin për të bindur shtetet afrikane të heqin njohjen ndaj Kosovës. Së fundmi, skandali u zgjerua me raportimet se kryediplomatja e Afrikës Qendrore kishte marrë 305 mijë euro nga Serbia për të nënshkruar një letër për çnjohjen e Kosovës, pa u konsultuar fare me kryeministrin dhe pa vendosur për këtë Qeveria. Këto para ajo i kishte marrë nga këshilltari i Daçiqit, i njohur me nofkën “Vlad”. Sipas raportimeve, ai është emisar sekret i Daçiqit, i ngarkuar me detyrë në Afrikë për të lobuar kundër Kosovës, duke i korruptuar zyrtarët që janë të gatshëm për t’u korruptuar me para të majme.
Përmes një reagimi në Facebook, Zyberaj ka thënë se “ky kriminel i lidhur me rrjetet ndërkombëtare të krimit të organizuar dhe i përfshirë thellë në afera korruptive në të gjithë botën në emër të Ivica Daçiqit, është përpjekur të shkaktojë dëme ndaj Kosovës”.
“Ne kemi qenë duke kundërshtuar atë dhe shefin e tij me vite dhe bota ka kuptuar veprimet e pista të Daçiqit dhe të Cizeljit. Prokuroria e Kosovës duhet të lëshoj një urdhër arrest ndërkombëtar kundër këtij personi, pasi ai ka shkaktuar përmes aktiviteteve kriminale dhe bandave kriminale një sulm ndaj sovranitetit të Kosovës. Aktiviteti kriminal është fytyra e vërtetë e diplomacisë serbe, siç ishte kryerja e krimeve të luftës në Kosovë fytyra e vërtetë e Beogradit”, ka shkruar Zyberaj në Facebook.







