MPJ e Izraelit njofton se do të vazhdojë të mundësojë që kalimi Rafah të mbetet i hapur për hyrjen e ndihmës humanitare

Izraeli nuk ka kryer dhe nuk do të kryejë veprime ushtarake në zonën e Rafahut, të cilat mund t’i shkaktojnë popullatës civile palestineze në Gaza kushte jetese që mund të sjellin, tërësisht ose pjesërisht, shkatërrimin e saj fizik kanë bërë të ditur nga MPJ dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Izraelit.

Siç njofton Ambasada e Izraelit në Kosovë, në një deklaratë të përbashkët të Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtetit të Izraelit, Tzachi Hanegbi, dhe Zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Shtetit të Izraelit, Oren Marmorstein thuhet se akuzat për gjenocid të ngritura nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë janë të rreme.

“Pas sulmit të tmerrshëm kundër qytetarëve të Izraelit më 7 tetor 2023, Izraeli filloi një luftë mbrojtëse dhe të drejtë për të eliminuar Hamasin dhe për të siguruar lirimin e pengjeve tanë. Izraeli po vepron bazuar në të drejtën e tij për të mbrojtur territorin dhe qytetarët e tij, në përputhje me vlerat e tij morale dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare”, shkruhet në deklaratën e tyre, trasnmeton Klankosova.tv

Tutje, ata bëjnë të ditur se Izraeli do të vazhdojë të mundësojë që kalimi Rafah të mbetet i hapur për hyrjen e ndihmës humanitare nga ana egjiptiane e kufirit dhe do të parandalojë grupet terroriste që të kontrollojnë kalimin.