MPJ demanton Daçiqin: Gana nuk ka ç’njohur Kosovën, ka ambasador të akredituar këtu

Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar lidhur me pretendimet e shtetit serb se Republika e Ganës e ka tërhequr njohjen ndaj shtetit të Kosovës.

Në një përgjigje për Gazetën Express, këshilltari i Ministrit në Detyrë të Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj ka thënë se ky është lajm i rrejshëm e pjesë e propagandës serbe.

“Është lajm i rrejshem i radhës. Çdo anëtar i OKB mbështet dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Shumica e vendeve anëtare të OKB kanë votuar në vitin 2010 rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të KB që filloi dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Është një propagandë e vazhdueshme dhe një fushatë e ndyrë nga Ivica Daçiq që është e kotë të humbesh kohën me të”, tha Zyberaj.

Këshilltari i Pacollit tutje ka thënë se Gana ka ambasador të akrerdituar në Kosovë.

“ Gana ka një Ambasadore të akredituar në Kosovë. Gana ka një konsull nderi në Kosovë i cili i përfaqëson ata. Kohën e fundit Ministri Pacolli u takua me Ministren e Punëve të Jashtme të Ganës në OKB në Nju Jork”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, po pretendon se ka arritur edhe një tjetër sukses për tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës.

Ai për televizionin serb “Prva” ka thënë se Republika e Ganës ka tërhequr njohjen e pavarësisë.

Sipas pretendimeve të tij, Gana është shteti i 16-të që ka tërhequr njohjen ndaj pavarësisë së Kosovës.

Kujtojmë se Daçiq kishte deklaruar se deri në fund të këtij viti edhe tri shtete do ta tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës.

loading…