Mourinho qau kur e pa kolapsimin e Christian Eriksenit: Dje Zoti po shikonte futboll

Jose Mourinho ka folur për ngjarjen e Christian Eriksenit i cili pësoi sulm kardiak në “Euro 2020”.

Ylli i Danimarkës, 29-vjeçar, kolapsoi të shtunën në ndeshjen kundër Finlandës që u zhvillua në Kopenhagë.

Tifozët, lojtarët dhe familja e Eriksenit me dëshpërim i pritnin lajmet para se të konfirmohej se ai është këndellur dhe në gjendje stabile.

Dhe Mourinho, i cili ishte trajner i mesfushorit për dy muaj në Tottenham, ka treguar për reagimin e tij shokues në momentin e incidentit.

“Edhe sot nuk po mundem të ndalem së menduari për atë çfarë ndodhi dje. Mendoj se është ditë për të festuar, jo për të qenë i dëshpëruar. Shpresojmë që futbolli shkoi në drejtim të organizimit e nivelit të mjekëve dhe specialistëve. Besoj se Zoti ishte duke shikuar futboll në atë moment. Gjithçka së bashku bëri që Christiani të jetë me ne, të jetë me familjen, të jetë gjallë. Ishte shumë më e rëndësishme sesa futbolli, por në të njëjtën kohë, besoj se ajo tregoi vlerat e mira të futbollit. Dashuria, solidariteti, shpirti i familjes. Nuk ishte vetëm për familjen e tij, ishte edhe për familjen e futbollit. Futbolli i bashkon njerëzit. Jam lutur dje, kam qarë dje, por sa milionë të tjerë e bënë në gjithë botën? Besoj që shumë, sepse futbolli i bashkon njerëzit”, ka thënë Mourinho për “TalkSport”.

Mourinho e mori drejtimin e Tottenhamit në nëntor të vitit 2019, pasi Erikseni shfaqi dëshirën për t’u larguar nga klubi pas përfundimit të kontratës.

Dhe lojtari më pas tregoi për dinjitetin me të cilin ai është trajtuar nga trajneri portugez.

“Pasi i tregova për ndjenjat e mia dhe çfarë dëshiroj të bëj, ai më tha që të jem vetëm i lumtur dhe nëse do të ishte e nevojshme do të luaja”, kishte thënë Erikseni në muajin shkurt të vitit të kaluar.

Pas disa muajsh nën Mourinhon, ai e kompletoi kalimin te Interi dhe e fitoi titullin e Serie A 2020/21.

Ish-trajneri i Chelseat dhe Manchester Unitedit kishte shpresuar që të luajë kundër Eriksenit dhe “Nerazzurrëve” sezonin tjetër, pasi do të debutojë te Roma.

Por në vend të kësaj, ai reflektoi mbi shëndetin e Eriksenit dhe kishte kontaktuar Pierre-Emile Hojbjergun për më të rejat rreth tij.

“Dje, për arsye jo të mira, futbolli i bashkoi njerëzit dhe në fund mund të festojmë që Christiani është gjallë. Natyrisht, nuk kam folur me të, por kam folur me Pierre-Emile Hojbjergun në mëngjes dhe Pierre ishte shumë pozitiv për Christianin. Ky është lajm i mirë, kështu që mendoj se është momenti për të festuar”, theksoi Mourinho.