Motra e 35-vjeçares: Vjehrra e kunata e vizituan dje në spital, i thanë kthehu hatri i fëmijëve – policia ishte në dijeni për gjendjen e saj

M.L, motra e shtatzënës 35-vjeçare, e cila u vra sonte bashkë me foshnjen e saj te palindur para objektit të Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, ka zbuluar se te viktima dje kishin qenë për vizitë vjehrra dhe kunata e saj.

Sipas motrës së viktimës, ato i kishin kërkuar 35-vjeçares që të kthehej në shtëpinë e bashkëshortit, “për hatër të fëmijëve”.

“Jo, s’na ka tregu kurgjë. Ama janë ardh ata dje, na këtu jena kanë e kena vizitu. Kur ish kanë vizita, ish kanë vjehrra e vetë edhe kunata e vetë, qaty pshtetën. As nuk ju kena fol, as hic kurgjë. Ajo ka dalë ka ba llaf, i thojke kthev, kthev për hatër të thmive, për hatër të qëtynë sabive. Kush ju murr në qafë, tha kërkush hic s’na ka marrë në qafë, tha djali yt m’ka marrë në qafë”, ka deklaruar ajo për KosovaPress.

Ajo ka thënë se për gjendjen e motrës ishin në dijeni edhe nga Spitali, por edhe Policia.

“Rastin atë natë e kemi lajmëru menjëherë, edhe mjekëve edhe krejt. Kanë thanë mos keni gajle se në dorë tonë është. Policia qe katër muaj është (në dijeni) që u nda prej tij. E ka ditë me Polici, me Social, e kanë ditë gjendjen e saj qysh e ka”, ka deklaruar e njëjta.

Rastin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

Sipas Ahmetit, viktima është 35-vjeçare.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.