Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka mbajtur konferencë për media për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Prokuroria e rastit, që ka hetuar rastin dhe ngritur aktakuzën Javorka Perlinçeviq ka dhënë detaje për motivin e kryerjes së vrasjes së Lidirona Ademajt. Ajo tha se janë 3 të pandehur që tashmë janë evidentuar, por sipas saj, është edhe një person i katërt, mirëpo sipas saj, ai është gjendur aksidentalisht në vend ngjarje.
Njëra nga motivet sipas prokurores kanë qenë problemet familjare që kanë çuar në vrasjen e Liridona Ademajt nga Naim Murseli, raporton Ballkani.info.
“Një nga motivi, sepse nuk mund t’i tregojmë të gjitha detajet, sepse nuk jemi kompetent, por mund të themi se në Suedi përderisa kanë jetuar (Liridona dhe Naimi), kanë pasur marrëdhënie të çrregulluara martesore dhe familjare që ka ardhur deri te problemet pasurore, e arsyet të tjera që i ka pasur Naimi mund të kuptoni në gjykatë kur të fillon seanca”, ka thënë prokurorja në konferencën për media.
Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe Naim Murseli janë tre të akuzuarit nga prokurorja, mirëpo personit i katërt nuk i është përmendur emri.
Prokurorja Perlinçeviq ka treguar edhe arsyen se pse është vonuar ngritja e aktakuzës.
“Pse ka kaluar një kohë e gjatë që nga ngritja e aktakuzës, sepse provat janë grumbulluar shumë shpejt dhe ka qenë koordinimi shumë i mirë me Policinë, mirëpo ka munguar motivi i cili ka shtyrë kryerësin ta kryej këtë vepër. Organeve të Suedisë ju kemi drejtuar se a kanë pasur problem çifti dhe kemi marrë përgjigje nga ta për ta gjetur motivin, po them likuidim sepse mënyra e kryerjes së veprës ka qenë likuidim. Nuk kemi mundur të ngritët aktakuza pa e kuptuar motivin, për çka Naimi ka marrë vendim që ta likuidoj Liridonën dhe pse e ka kyçur djalin e hallës së tij. Të tretë kanë marrë pjesë aktivisht për kryerjen e veprës penale. Rezultatin të gjithë e dinë është vdekja e Liridonës. Dua t’i falënderoj shumë Policinë që në çdo ftesë dhe dyshim të prokurorisë kanë ardhur dhe po ashtu falënderim të madh për kryeprokurorit që e ka kuptuar se është prioritet kjo lëndë”, ka thënë ajo.
Sipas prokurorisë nuk ka pasur pranim të fajësisë, e sipas saj, lënda nuk duhet të përfundojë më pranimin e pafajësisë, por të gjitha faktet të nxirren publikisht./ Ballkani.info/







