Moti

Moti për javën e fundit të vitit

Gjatë javës së ndërrimit të motmoteve vendi ynë mbetet nën ndikimin e cikloneve të cilat depërtojnë mbi Mesdhe nga Atlantiku.  Për shkak të kësaj situate sinoptike, mbi vendin tonë do të mbajë mot i ndryshueshëm me vransira dhe diell, e herë herë priten edhe reshje shiu, e vetëm në vise malore mund të ketë edhe reshje dëbore.

Ciklonet do të jenë të fuqishme, ku do të kenë diferenca të mëdha barike, që sjellin mbi vendin tonë erëra më të theksuara nga krahu jugor, e rryma të ngrohta ajrore që do të depërtojnë mbi rajon kushtëzojnë një mot mjaft të butë për këtë periudhë kohore.Erërat që do të fryjnë nga jugu do të shpërndajnë ndotësit ajror, e së paku në këto ditë të fundvitit cilësia e ajrit do të jetë më e mirë.  Indeksi në përgjithësi do të mbetet përreth vlerave të mjaftueshme dhe të mira, vetëm herë herë, orëve të mbrëmjes mund të kaloj edhe në të dobëta.

28.12 – Në mëngjes përgjatë ultësirave mundësi për mjegull/mjegullinë.  Ditën pjesërisht vranët dhe intervale më të gjata me diell.  Në perëndim të vendit reshje të dobëta shiu, që më vonë gjatë natës priten edhe në pjesë tjera.

29.12 – Më butë, me vransira dhe diell.  Herë herë priten edhe mundësi për reshje lokale shiu.

30.12 – Butë, vransira dhe intervale më të gjata me diell gjatë ditës.  Vende-vende me mundësi për reshje lokale shiu, kryesisht nga perëndimi i vendit.  Në vise malore me borë.

31.12 – Mot i butë.  Fillimisht në mëngjes me reshje të dobëta shiu.  Ditën vransirat shpërndahen, e në mbrëmje me kthjellime.

Temperaturat e ajrit do të shënojnë rritje ndjeshëm mbi vlera mesatare, me minimale që rriten nga 0C deri në 5C, e maksimale nga 8C deri në 12C, e vende-vende edhe deri 13C.

Do të fryjë erë mesatare dhe mesatarisht e fuqishme nga krahu jugor 4-13m/s.  Vende-vende hovet e erës do të jenë më të fuqishme edhe mbi 20m/s (72km/h).

Shtypja atmosferike do të mbetet nën vlera normale, me një tendencë të rritjes në pjesën e dytë të javës.